Muajt korrik dhe gusht janë vala e sezonit veror në Strugë dhe Ohër. Duke qenë se jemi në fund të muajit gusht, atmosfera në këto dy qytete ka filluar të qetësohet dhe turistët po largohen. Megjithëse muaji shtator nuk premton shumë, sepse një pjesë e madhe e turistëve largohen, hotelierët thonë se edhe ky sezon veror ishte mjaft i suksesshëm dhe numri i mysafirëve ishte shumë i lartë.
Ata thonë se edhe pse çmimet e shërbimeve hotelierike në Strugë dhe Ohër janë rritur, përsëri vendi ynë mbetet një nga destinacionet më të lira, në krahasim me vendet e rajonit.
“Në përgjithësi, përqindjet janë të mira, sepse gati të gjitha kapacitetet hotelierike ishin mbi 90% për periudhën e verës, gjithashtu kishte edhe në maj turistë, prej atëherë e pam që do kemi sezon të suksesshëm. Duke pasur parasysh që në shtetet fqinje çmimet janë rritur shumë, edhe në Ohër dhe Strugë janë rritur, më shumë në Ohër në fakt, por përsëri nuk ndikoi shumë në plotësimin e kapaciteteve për shkak se në objektet hotelierike, këtë verë ishin çmimet normale, kjo solli që të jemi të plotësuar deri në atë përqindje të lartë.” – tha Kryetari i HOTAM, Kërste Bllazhevski.
Hotelierët thonë se rritja e numrit të mysafirëve kërkon edhe rritjen e shërbimeve, por mungesa e punëtorëve vazhdon të jetë një problem për ta. Edhe pse u punësuan punëtorë nga vendet e huaja, përsëri numri i punëtorëve nuk ishte shumë i lartë.
“Me punëtorët kishim një problem të dukshëm, problem që e kemi 10 vitet e fundit, por këtë vit ishte pak problem më i madh, sepse kur rritet numri i mysafirëve duhet të rritet edhe numri i atyre që i shërbejnë, numri i punëtorëve, për fat të keq num mundëm të rrisim numrin e punëtorëve, ishim me numrin e njëjtë të punëtorëve si në vitet e kaluara, dhe nuk kishte hotel apo restorant që nuk kishin mungesë të paktën të ndonjë punëtori. Kishim punëtorë të huaj, disa hotele reaguan më herët, i punësuan më herët.” – deklaroi Kryetari i HOTAM, Kërste Bllazhevski.
Nga HOTAM lajmërojnë se tashmë kanë filluar planet për sezonin dimëror por edhe për sezonin e ardhshëm veror. Kryesisht janë të fokusuar në zgjidhjen e problemit me mungesën e punëtorëve, thonë se do të ketë më shumë punëtorë të huaj që nga muajt e hershëm të verës, të cilët do të bashkëpunojnë me punëtorët lokal.