Nëse jeni rezident i huaj, mund të pyesni veten nëse mund të fitoni më shumë se një zviceran që punon në një punë të ngjashme.
Kur një punë bëhet e disponueshme në Zvicër, punëdhënësi duhet t’u japë përparësi shtetasve zviceranë përpara se të shikojë kandidatët nga shtetet e Bashkimit Evropian dhe EFTA-s (Norvegjia, Islanda dhe Lihtenshtajni).
Dhe atëherë është vetëm kur askush nga Zvicra apo BE/EFTA nuk plotëson kushtet, kompanitë mund të zgjerojnë kërkimin e tyre tek njerëzit nga të ashtuquajturat “vendet e treta”.
Por kjo nuk do të thotë se punëdhënësi ka të drejtë të paguajë punëtorin e huaj më pak se sa do të paguante një zviceran, transmeton albinfo.ch.
Kjo për shkak se ligji i punës i Zvicrës ndalon diskriminimin bazuar në kombësinë, gjininë, fenë, përkatësinë etnike dhe orientimin seksual të një personi.
Për më tepër, Marrëveshja për Lëvizjen e Lirë të Personave (AFMP), me të cilën është e lidhur Zvicra, përcakton se qytetarët e BE/EFTA nuk mund të trajtohen në mënyrë të pafavorshme, veçanërisht në aspektin e pagave, thjesht për shkak të kombësisë së tyre. Zvicra nuk ka traktate të tilla me kombet e treta, por klauzola e mosdiskriminimit vlen për të gjithë të huajt.
Në çfarë rrethanash shtetasit e huaj mund të fitonin paga më të larta se homologët e tyre zviceranë?
Ka disa raste kur kjo mund të ndodhë dhe në fakt ka ndodhur.
Nëse, për shembull, një person nga jashtë është më i kualifikuar për një punë të caktuar, ka një nivel arsimimi dhe vjetërsi më të lartë ndaj kolegëve të tij zviceranë, atëherë një pagë më e lartë do të justifikohej.
Me fjalë të tjera, nuk është kombësia ajo që përcakton pagën, por ajo që punonjësi mund të sjellë në kompani.
Kjo do të thotë që ju keni çdo shans për të fituar më shumë se një punonjës zviceran, për sa kohë që keni aftësitë që i nevojiten kompanisë suaj, shkruan thelocal.
Dhe kjo nuk është vetëm një teori – të dhënat e publikuara nga Zyra Federale e Statistikave (FSO) tregojnë se në disa raste, të huajt fitojnë më shumë se zviceranët.
Në cilat pozita fitojnë të huajt më shumë se zviceranët?
Përsëri sipas FSO-së, menaxherët e lindur jashtë vendit shpesh fitojnë më shumë se zviceranët.
Në menaxhmentin e mesëm dhe të lartë, ata me leje B kanë pagat më të larta: ata fitojnë mesatarisht 12,791 franga në muaj, sipas hulumtimit.
Më pas janë ata me leje C, që fitojnë 11495 franga në muaj. Mbajtësit e lejeve G – domethënë punëtorët ndërkufitarë – fitojnë 10,707 franga.
Të gjithë ata kanë paga më të larta se zviceranët në pozicione të krahasueshme, të cilët fitojnë mesatarisht 10,476 franga në muaj.
Në fund të shkallës janë mbajtësit e lejes afatshkurtër L, me një pagë ‘vetëm’ 8659 në muaj.
I njëjti model (megjithëse me paga të përgjithshme më të ulëta) mund të shihet tek ata që punojnë në pozicione më të ulëta drejtuese: këtu, mbajtësit e lejes C fitojnë më shumë – 9,254 franga në muaj.
Ato ndiqen nga afër nga lejet B (9,251), me zviceranët në pozitën e tretë (8,873).
Punëtorët ndërkufitarë dhe mbajtësit e lejeve L fitojnë përkatësisht 8650 dhe 5940 franga.
E gjithë kjo dëshmon se në pozicione të caktuara që kërkojnë njohuri të specializuara, të huajt ndonjëherë kanë një avantazh mbi zviceranët.