Një e treta e popullsisë jeton në Shkup dhe nuk është logjike të jetosh në një qytet që nuk funksionon vetëm pse jemi robër të egos së dikujt ose vetëm pse dikush nuk di të bëjë punën siç duhet, thotë ish kryetari i komunës së Karposhit dhe ish-kryetar i BNJVL-së, Andrej Petrov, shkruan Alsat.
Sipas Petrovit, numri një i qytetit paguhet nga qytetarët dhe ai duhet t’i zgjidhë problemet.
Ai po ashtu sqaron se kryetari i komunës është ai që duhet të krijojë kimi mes tij dhe këshilltarëve, pasi Arsovska paraprakisht u ankua se nuk e ka mbështetjen e tyre, veçanërisht nga këshilltarët që vijnë nga radhët e VMRO-së.
“Pushteti ekzekutiv është kryetari i komunës, këshilltarët nuk janë pushtet ekzekutiv. Kryetari duhet të gjejë mënyrë për të ndërtuar raport me ta, ky është detyrim i tij, do të thotë, raporti të mos bazohet në marrëveshje të ndërsjella, por në bazë të respektimit të interesave të qytetit, për të parë se cilat janë problemet kryesore dhe si të zgjidhen. Me siguri ka shërbime profesionale që dinë saktësisht se për çfarë bëhet fjalë, të cilët e kanë skanuar situatën në detaje”, u shpreh Andrej Petrov, ish-kryetar i Komunës së Karposhit dhe ish-kryetar i BNJVL-së.
Problem tjetër për Petrovin është mungesa e njerëzve përkatës.
Ai shton se pozitat drejtuese në ndërmarrjet e qytetit i menaxhojnë njerëz laikë të cilët qytetarët nuk mund t’i shohin as në terren.
Petrovi thekson se, pavarësisht nga përkatësia politike, kur bëhet fjalë për problemet në interes për qytetarët, duhet të gjendet zgjidhje.
“Duhet të ketë administratë efikase, jo administratë të ngarkuar partiake e pastaj kemi borxhe. Nëse e keni një kompani private, nëse mund të punoni me 10 veta kurse punoni me 100, do të dështojë dhe do ta mbyllni. E njëjta gjë po ndodh edhe këtu me qytetin, mendoj se në pesë minuta pas dymbëdhjetë duhet gjetur zgjidhje dhe që këshilltarët dhe kryetari i qytetit të ulen në të njëjtën tryezë dhe të ofrojnë zgjidhje që do të jetë në interes të qytetarëve, si qytetarë nuk na intereson kush ka të drejtë, neve na intereson të kemi qytet të pastër, të kemi transport urban efikas, të kemi gjelbërim në vend të këtij bari të zverdhur që e kemi kudo”, tha Andrej Petrov, ish-kryetar i Komunës së Karposhit dhe ish-kryetar i BNJVL-së.
Qytetarët e Shkupit disa muaj nuk kanë linja të rregullta të autobusëve, qyteti po mbytet në mbeturina, ndërsa kryetarët e Shkupit tashmë kanë kërkuar reformimin e ndërmarrjeve “Higjiena Komunale” dhe “Parqe dhe Gjelbërim” dhe kanë kërkuar që vetë komunat ta marrin përsipër përgjegjësinë për ta.