Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Ndihmë dhe Punë për Refugjatët Palestinezë (UNRWA), njoftoi se ushtria izraelite në 48 orët e fundit ka kryer sulme të pamëshirshme në Rripin e Gazës, transmeton Anadolu.
Louise Wateridge, zyrtarja e komunikimit e UNRWA-së në Gaza, në një deklaratë për BBC Radyo 4 Today tha: “Rripi i Gazës është përballur me bombardime dhe sulme në mënyrë të pamëshirshme në 48 orët e fundit”.
“Zonat në Gaza të cilat u emërtuan si humanitare disa ditë më parë, janë bërë tashmë vija e parë e sulmeve ushtarake. Palestinezët në Rripin e Gazës vetëm shpresojnë të mbijetojnë natën mes bombardimeve intensive”, shtoi Wateridge.
Në sulmet e Izraelit në Rripin e Gazës që nga 7 tetori i vitit 2023 janë vrarë 40.139 palestinezë, përfshirë të paktën 16.314 fëmijë dhe 10.980 gra, ndërsa janë plagosur 92.743 persona të tjerë.
Nën rrënoja njoftohet se ende ka mijëra të vdekur ndërsa po shkatërrohet infrastruktura civile duke u shënjestruar spitalet dhe institucionet arsimore ku strehohet popullata.