Zëvendësministrja e Transportit dhe Lidhjeve, Kaltrina Zekolli-Shaqiri, deklaroi se po zgjidhin me sukses problemin e trashëguar me pagat e punonjësve të Postës së Maqedonisë së Veriut, njëkohësisht edhe të punësuarve në Infrastrukturën e Hekurudhave dhe Transportit. Ajo thekson se pas disa muajsh vonesash, më nuk do të ketë probleme me pagat. Pohon se ky është një lajm që i gëzon 4,400 familje, të cilat më në fund po marrin atë që ju takon për punën e tyre.
Kaltrina Zekolli-Shaqiri, zëvendësministre
“Ne si Qeveri jemi të angazhuar t’i japim çdo punonjësi atë që i takon, duke përmbushur një detyrim shumë të rëndësishëm. Joserioziteti i Qeverisë së kaluar ka bërë që t’i kemi sot këto rezultate. Nuk e kishin aspak parasysh rëndësinë e pagës së punonjësve. Por ne, menjëherë morëm vendimin për ta rikthyer stabilitetin dhe për të siguruar që një situatë e tillë asnjëherë të mos përsëritet”.
Zëvendësministrja falenderon edhe menaxhmentin e Postës së Maqedonisë, Infrastrukturës së Hekurudhave dhe të Transportit. Ajo shton duke thënë se ata bënë një punë të shkëlqyer për ta zgjidhur këtë problem. Megjithatë, Zekolli siguron se nuk do të kalojnë pa u ndëshkuar ata që lejuan të ndodhë kjo situatë. Sipas saj, hetimet do të fillojnë së shpejti dhe padyshim që do të ketë përgjegjësi.