Në një periudhë prej 10 vitesh, në Maqedoninë e Veriut numri i nxënësve në arsimin fillor është zvogëluar për 8.927 nxënës. Në vitin shkollor 2013/2014 kanë qenë 191.051 nxënës të shkollave fillore, ndërsa pas 10 vitesh ky numër është 182.124, shkruan Meta, transmeton Portalb.mk.
Nataliteti i ulët, si dhe emigracioni nga vendi, janë arsyet kryesore të kësaj situate. Çdo vit shkollor regjistrohen në shkolla gjithnjë e më pak nxënës të klasës së parë dhe numri i fëmijëve që nuk e shohin fundin e vitit shkollor është i lartë, pasi ndërkohë, me familjet e tyre shpërngulen në një shtet tjetër.
Gjithnjë e më pak filloristë ulen në bankat e shkollës
Nëse shikoni shifrat që ka marrë Meta.mk nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH), të cilat i referohen nxënësve të regjistruar në klasë të parë, vërehet një trend në rënie në numrin e tyre në tre vitet e fundit. Në vitin 2021/2022 në shkollë kanë shkuar 21.158 nxënës të klasës së parë, ndërsa këtë vit (sipas regjistrimeve në maj) në klasë të parë nga shtatori do të shkojnë 19.482 fëmijë.
Në vetëm një vit “u zhdukën” 2.975 nxënës të shkollave fillore dhe 11 shkolla.
Të dhënat e publikuara nga Enti Shtetëror i Statistikave janë zhgënjyese, të cilat tregojnë se numri i nxënësve në arsimin fillor po zvogëlohet çdo vit, ndërsa shkollat po mbyllen në të gjithë vendin. Kështu, në vitin akademik 2022/2023 kishte 966 shkolla dhe vetëm një vit më vonë ky numër u zvogëlua në 955, që do të thotë se vetëm në një vit akademik u mbyllën 11 shkolla.
Në vitin 2022/2023 në shkollë fillore kanë shkuar185.099 nxënës, ndërsa një vit më vonë ky numër ka rënë për 2.975 nxënës (182.124). Në vitin 2020 kishte 187.555 nxënës të shkollave fillore, që do të thotë se në një periudhë katërvjeçare numri është ulur me 5.431 fëmijë.
Nuk ka nxënës, por numri i mësuesve po rritet
Tendenca e rritjes së numrit të mësuesve është absurde, në kushtet kur kemi gjithnjë e më pak nxënës, paralele dhe shkolla në vend. 10 vite më parë në arsimin fillor ishin të punësuar 17.219 mësues. Në vitin e kaluar shkollor ky numër është 18.831, që do të thotë se në këtë një dekadë numri i mësuesve është rritur me 1.612, ndonëse numri i nxënësve është në rënie dhe shkollat në të gjithë vendin po mbyllen.
Nga vendi largohen kryesisht çifte të reja të martuara
Arsyeja e trendit në rënie të studentëve është nataliteti i ulët dhe emigracioni. Siç shpjegon për Meta.mk demografi dhe ish-drejtor i Entit Shtetëror për Statistikë, Donço Gerasimovski, nga këtu largohen kryesisht çiftet e reja të martuara që kanë fëmijë, ose fëmijët e të cilëve kanë lindur jashtë vendit.
Nëse analizohen shifrat, vlen të përmendet diferenca prej rreth 1.000 nxënësish në fillim të vitit shkollor krahasuar me fundin e vitit shkollor. Kjo do të thotë se gjatë vitit shkollor e kanë lënë shkollën dhe janë shpërngulur, thotë Gerasimovski.
Ai tha disa herë deri më tani se është e nevojshme të bëhet një strategji për zhvillimin e politikës së popullsisë, si dhe një strategji për arsimin, si zgjidhje për këtë situatë.
“Po analizoj edhe situatën në vende të tjera. Tendencat demografike botërore janë të pranishme kudo. Ata lëvizin kudo, përfshirë në Bullgari, Serbi, Shqipëri. Por, është e nevojshme që shteti të merret më seriozisht me këtë problem”, apelon Gerasimovski.