12 zjarre vazhdojnë të jenë aktive në territorin e Maqedonisë së Veriut, njoftojnë nga Qendra për Menaxhimin e Krizave.
Nga gjithsej 49 në 24 orët e fundit, 7 janë vënë nën kontroll, ndërsa 30 janë shuar plotësisht.
Situata më e rëndë është në komunën e Makedonski Brodit, ku në fshatin Jasen-Belicë, po digjet pyll me pisha, njëjtë sikurse edhe në komunën e Koçanit dhe Komunën e Makedonska Kamenicës, përkatësisht në fshatin Preskë dhe fshati Cera. Gjithashtu zjarre aktive ka edhe në Komunën e Kërçovës, Mavrovë, Novaci, Manastir, Pllasnicë dhe në Komunën e Probishtipit.
Në shuarjen e zjarreve do të përfshihet edhe Armata, pasi pas shpalljes së gjendjes së krizës nga Qeveria, presidentja vendosi angazhimin e ushtrisë.
“Mënyra dhe intensiteti se si pjesëtaret e Armatës do të ndihmojnë në shuarjen e zjarreve do të përcaktohet nga Shtabi i Përgjithshëm i Armatës në përputhje me kërkesat e Qendrës për Menaxhimin e Krizave dhe situatës në terren”, thonw nga Presidenca e Maqedonisë së Veriut.
Por partia opozitare, LSDM akuzon qeverinë se dështoi në menaxhimin e situatës me zjarret. Kërkon dorëheqjen e Ministrit të Brendshëm Toshkovski.
“Qeveria e Mickoskit dhe VMRO-DPMNE-së dështoi plotësisht në menaxhimin e zjarreve dhe për këtë patjetër duhet të ketë përgjegjësi. LSDM disa herë ka alarmuar që Toshkovski është plotësisht i paaftë të menaxhojë Qendrën e Krizës dhe ai duhet të dorëhiqet. LSDM disa herë ka apeluar që Mickoski seriozisht të fokusohet në menaxhim dhe jo në PR, por ai refuzon të njëjtën. Kërkojmë dorëheqje të menjëhershme dhe të parevokueshme të Toshkovskit”, u shpreh Bogdanka Kuzeska, zëdhënse e LSDM-së.
Sipas opozitës maqedonase, një kryeministër dhe ministër i përgjegjshëm në situatë të tillë çdo ditë do të duhej të jetë në selinë e QMK-së.