Ndeshja e sotme kundër Tikveshit, për Qatip Osmanin si trajner ishte e 365 në kuadër të Ligës së Parë, dhe e para nën drejtimin e Struga Trim Lum…
Qatip Osmani ka bërë një debutim pozitiv në bankinën e Struga Trim Lum, duke fituar në ndeshjen e tij të parë që po udhëheq skuadrën në Ligën e Parë Futbollistike të Maqedonisë.
Përballë sot kishim Tikveshin, fituesin e Kupës, ndaj dhe kjo ndeshje nga shumica sot fitoi epitetin e një finaleje të SuperKupës. Dhe shumë normale, kur përballë vihen kampioni dhe fituesi i Kupës, ndeshje të tilla mund të vendosin nuanca. Dhe ashtu ndodhi, kjo ndoshta edhe për shkak lojës tejet të mbyllur të kundërshtarit, që në Strugë kishte udhëtuar me vetmin qëllim që mos të humbas ndeshjen.
“Edhe pse nuk luajtëm ashtu siç dëshironim, megjithatë më e rëndësishmja është që ja arritëm qëllimit dhe në fund morrëm tre pikët e plota. Gjatë pjesës së parë ekipi nuk reflektoi ashtu si duhet, mirëpo në pjesën e dytë ishim më të mirë, më të rrezikshëm, gjë kjo që dha edhe rezultatin e duhur” – u shpreh fillimisht trajneri Qatip Osmani, i cili foli edhe për futbollistët që erdhën nga bankina në këtë ndeshje dhe që i dhanë imapkt lojës.
Është një plus i madh kur edhe në bankinë ke lojtar kualitativ që mund të vendosin ndeshjen. Pikërisht sot ndodhi një gjë e tillë, pasi lojtarët që u inkuadruan sollën freskinë e duhur, duke e arsyetuar veten. Ata i dhanë një shpejtësi lojës, një agresivitet, që në fund rezultoi edhe me golin e shënuar nga Compaore” – deklaroi trajneri Osmani.
Goli erdhi vetëm në minutën e 89-të, me autorë Bassirou Compaore, ndërsa deri në ato momente vërehej një nervozizëm në mesin e futbollistëve tanë, kjo edhe për shkak lojës së shfaqur të kundërshtarit, që në çdo mënyrë tentonte të përfitojë nga rasti, duke zvarritur minutat e lojës në mënyra të ndryshme.
“Nervozizmi ishte evident në fushë, ndërsa e gjithë kjo për shkak lojës së shfaqur të kundërshtarit. Nuk e kishim kontrollin e duhur të lojës, ndërsa edhe në ato momente kur neve bënim presionin, futbollistët e Tikveshit gjenin mënyra për të ndal hovin tonë. Të them të drejtën ishim të vetëdijshëm se ata në Strugë do të vijnë për tu mbrojtur, mirëpo jo edhe deri në këtë shkallë. Loja e tyre u bazua në kundërsulme, dhe pikërisht përmes tyre na rrezikuan nga njëherë në të dyja pjesët, mirëpo kjo ishte e tëra nga ata, ndërsa duke pasur parasysh se vazhdimisht kërkonim golin, ajo na u shpërblye fare në fund dhe besoj se kjo është shumë e rëndësishme. Tre pikët mbetën në Strugë” – përfundoi trajner Osmani, i cili sot regjistroi ndeshjen e tij të 365 si trajner në ndeshjet e Ligës së Parë, aty ku numëron 172 fitore, 95 barazime dhe 98 disfata.