BDI do të tentojë, por kapaciteti i tyre për destabilizim është i dobët. Ky është vlerësimi i partive të koalicionit VLEN në lidhje me paralajmërimet e kryeministrit Hristijan Mickoski se udhëheqsia e BDI-së, po përgatitet që gjatë vjeshtës ta destabilizojë vendin me qëllim që siç thotë ta mbrojë kapitalin e fituar gjatë periudhës njëzetvjeçare derisa ka qenë në pushtet, e jo siç pretendojnë integristët për gjoja mbrojtjen e legjitimitetit të përfaqësimit në qeveri.
Sipas VLEN, ideja e BDI-së është t’i mbajnë peng shqiptarët në përpjekje për të shmangur përgjegjësinë gjyqësore për vjedhjet që ata i bënë popullit gjatë 22 viteve të fundit të regjimit.
“Shqiptarët nuk do të lejojnë që kjo kryesi e kriminalizuar e BDI-së t’i nënvlerësojë. Ata e dinë se Ahmeti, Grubi, Osmani, Merko, Bekteshi dhe kompania nuk kanë fare dert për Marrëveshjen Kornizë të Ohrit, por kanë dert vetëm për kapitalin familjar të fituar në mënyrë të paligjshme. Prandaj, ne besojmë se kapaciteti i tyre për destabilizim është i dobët për momentin dhe do të vazhdojë të dobësohet edhe më tej, me ngritjen e kallëzimeve penale për keqpërdorimet e tyre, duke ekspozuar të vërtetën për qeverisjes së BDI-së”, thonë nga Koalicioni VLEN.
LSDM në lidhje me këto paralajmëroi, kërkoi që Prokuroria të hapë hetim dhe ta ftojë në dëgjim kryeministrin Hristijan Mickoski, ndërkaq presidentja Gordana Siljanovska Davkova ta thirrë Këshillin për Siguri.
“Nëse Mickoski me të vërtetë posedon informata ai është i obliguar që urgjentisht t’i informojë institucionet, pse nuk e bën? Kryeministri i cili tregon se ka informata për prishjen e gjendjes së sigurisë dhe paqes në vend, dhe asgjë nuk ndërmerr rreth asaj është pjesëmarrës direkt në skenarin eventual. Nëse atë e bën vetëm që t’i frikësojë qytetarët dhe t’i manipulojë me ndjenjat e tyre duke u përpjekur që ta ndryshojë temën nga skandalet që e ndjekin qeverinë e tij, atëherë bëhet fjalë për njeri i cili ia mendon të keqen popullit të tij”, tha Bogdanka Kuzeska, zëdhënëse e LSDM-së.
Nga ana tjetër, BDI pretendimet e Mickoskit i quan blofe politike, ndërkaq nuk lëvizë nga qëndrimi se ata janë përfaqësuesi legjitim i popullit shqiptar dhe këtë do ta mbrojnë duke ndërmarrë masa demokratike.
“Pa dashur t’i komentojmë spinet dhe blofet politike, duam të qartësojmë se ne kemi marrë mandat dhe përgjegjësi nga votuesit shqiptarë për të mbrojtur legjitimitetin, vullnetin politik dhe dinjitetin e votës dhe popullit shqiptar në Maqedoni të Veriut. Do t’i ndërmarrim të gjitha masat dhe mjetet demokratike për të ndaluar poshtërimin dhe majorizimin e shqiptarëve nga imponimi i vasalëve”, theksuan nga Bashkimi Demokratik për Integrim.
Ndryshe, paralajmërimet për destabilizim të vendit nga ana e udhëheqësisë së BDI-së, vijnë në kohën kur qeveria e re ka paralajmëruar se do të dorëzojë padi për shkeljet ligjore që kanë gjetur nëpër institucione. Nga ana tjetër, BDI vazhdon të kontestojë përfshirjen e VLEN-it në qeveri duke vazhduar me pretendimin se ata janë përfaqësues legjitim te kampi politik shqiptar. BDI, insiston në parimin e pashkruar se fituesi i kampit politik te maqedonasit duhet të koalicionojë me fituesin në kampin politik te shqiptarët. Këtë parim, e ka shkelur vetë BDI në vitin 2016-të, por tani ka propozuar që të bëhet ligj.