Akuzat për korrupsion të lartë BDI-ja i cilëson si të rreme dhe propagandë falsë. Pas takimit të kryesisë së ngushtë të partisë, BDI-ja iu bëri thirrje të gjitha partive politike, veçanërisht ato që janë në pushtet, të kërkojnë menjëherë nga komuniteti ndërkombëtar monitorues për një vetting tërësor dhe gjithëpërfshirës të të gjithë zyrtarëve publikë në 30 vitet e fundit. “Ky hap është thelbësor për të rritur transparencën dhe për të rivendosur besimin e qytetarëve. Refuzimi i kësaj kërkese urgjente do të dëshmojë se akuzat e rreme përdoren vetëm për të mbuluar veprimet tuaja, por edhe mungesën e guximit për t’u ballafaquar me të vërtetën rreth korrupsionit në vend. Ne kërkojmë nga partitë politike dhe komuniteti ndërkombëtar të veprojë tani për të mbështetur këtë proces”, thuhet në komunikatën e BDI-së.