Shkruan: Zeqirija Ibrahimi, kryetar i Alternativës
Meqë nuk mundën ta thonë asnjë fjalë kundrejt pobratimit të “Ballkanit të hapur” (Vuçiqit), që i vajtonte kur i humbën zgjedhjet, vrerin e derdhin kundër presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.
Pak informata faktografike:
– ata nuk bënë asnjë vizitë zyrtare në Kosovë, edhe kur e kishin Ministrinë e Punëve të Jashtme;
– sulmin terrorist të Vuçiqit në Banjsko e quanin “konflikt mes dy palëve”, dhe
– interesant, nuk guxojnë ta sulmojnë VMRO-në, sepse hala e lusin dhe i përgjërohen t’i kthejë në qeveri, por i sulmojnë shqiptarët që kanë asistuar në incidentin e aeroportit.
Kjo i nxjerr në shesh se ata janë regjisorët e atij skenari, që të kenë arsye për të akuzuar dhe, gjoja, për t’u kërcënuar me incidente ndëretnike.
Në vend se të jetë pyetja se kush janë ata policë që nuk e respektojnë presidenten e Kosovës dhe pse bëjnë atë;
Në vend se ta falënderojnë kryetarin e Kuvendit të RMV-së, që ka ndihmuar në këtë situatë dhe ka shfaqur respekt institucional dhe kombëtar për presidenten kosovare;
Përfaqësuesit e Frontit, bashkë me mediat e tyre, merren me atë se cili pjesëtar i sigurimit të Kryetarit të Kuvendit e ka ngritur zërin më shumë kundrejt policëve maqedonas në aeroport.
Kjo është arsyeja që, si njëri nga kryetarët e koalicionit VLEN, të theksoj se ne synojmë ta çmontojmë ndikimin e vazhdueshëm e të dëmshëm të BDI-së në aparatin shtetëror.
Ky nuk është thjesht një qëndrim dhe synim politik, por është një thirrje për ndryshim të thellë dhe të nevojshëm të sistemit politik, madje edhe vleror. Kjo nënkupton se na pret një periudhë e re, ku qeverisja do të çlirohet nga këto fosile dhe relikte të së kaluarës, me ç’rast shteti do të jetë në duar të qytetarëve, ndërsa çdo qytetar do të ndjehet i lirë.
Kjo nuk është betejë kundër BDI-së si parti politike. Ky është një projekt i reformës shtetërore dhe kombëtare.