Askush si Besart Ibraimi, shqiptari me më shumë gola në garat e UEFA-së

Besart Ibraimi është futbollisti më i mirë shqiptar sa i përket golave të shënuar në garat europiane të UEFA-së. 

Sulmuesi kërçovar me skuadrën e tij Strugën mbrëmë u eliminuan nga Liga e Konferencës pas humbjes 3:1 nga Pjuniku në Jerevan. Por, Ibraimi vazhdon të lë shenja pozitive në garat e UEFA-së. Bomberi i Strugës në katër ndeshjet e luajtura në këtë sezon në eliminatoret e Ligës së Kampionëve dhe Ligës së Konferencës shënoi katër gola, duke u bërë kështu futbollisti shqiptar me më shumë gola të shënuar në garat e drejtuara nga UEFA. 

Besart Ibraimi në 49 ndeshje të luajtura, duke përfshirë këtu edhe ato të Liga Europës, ka shënuar 27 gola dhe ka bërë një asist. Asnjë lojtar tjetër shqiptar nuk i ka këto statistika si të 37-vjeçarit, që më parë ka luajtur edhe për Shkëndijën e Tetovës, Shallken, Renovën e Vëllazërimin e Kërçovës.