UNICEF: Rreth 70% e viktimave të trafikimit të qenieve njerëzore në RMV janë fëmijë

Përkundër faktit se fëmijët viktima të trafikimit të qenieve njerëzore shpesh mbesin të pazbuluar dhe të paraportuar në mbarë botën, të dhënat e disponueshme nga Komisioni Kombëtar për Luftën kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore dhe Migracionit Ilegal, që përfshijnë dy dekada (2001-2021), tregojnë se fëmijët përbëjnë 70 për qind të viktimave në Maqedoninë e Veriut, citohet në njoftimin e Zyrës së UNICEF-it në Shkup, me rastin e Ditës Botërore kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore, e cila këtë vit u kushtohet fëmijëve viktima të qenieve njerëzore.

UNICEF- SHKUP

“Kjo shifër tejkalon ndjeshëm mesataren globale, sipas së cilës pothuajse një e treta e të gjitha viktimave të identifikuara të trafikimit të qenieve njerëzore janë fëmijë. Mosha mesatare e fëmijëve viktima në vend është 15 vjeç, me çka vajzat në mënyrë disproporcionale më shumë i nënshtrohen shfrytëzimit të dyfishtë: si seksual ashtu edhe atij punëtor. Këto shifra alarmante, të cilat prekin veçanërisht vajzat e reja, nxjerr në pah një prirje shqetësuese që po përkeqësohet në epokën digjitale”

UNICEF bëri thirrje për investime më të mëdha dhe të vazhdueshme në përpjekjet për të parandaluar shfrytëzimin dhe abuzimin e fëmijëve si dhe respektimin e të drejtave të tyre për mbrojtje. Varfëria, familjet jofunksionale dhe diskriminimi, thuhet në deklaratë, i vendosin fëmijët në rrezik më të madh për t’u bërë viktima të trafikimit të qenieve njerëzore. Situata ndërlikohet më tej nga zbatimi i dobët i ligjeve për marrëdhëniet e punës dhe mbrojtjen e fëmijëve. Mbështetja dhe shërbimet për parandalim, besojnë ata, duhet të përfshijnë aksesin në mbrojtje sociale, shëndetësi dhe arsim për fëmijët dhe familjet e tyre

UNICEF- SHKUP

“Mungesa e ndihmës dhe rehabilitimit afatgjatë, si dhe varësia e tepruar nga lënia e fëmijëve në qendra strehimi të papërshtatshme rrit rrezikun e traumatizimit dhe riviktimizimit të mëtejshëm. Nevojiten urgjentisht mekanizma më të mirë identifikimi dhe zgjidhje të qëndrueshme për fëmijët e cenueshëm, si dhe investime shtesë për të siguruar që sistemi i mbrojtjes së fëmijëve të ofrojë kujdestarinë e duhur dhe forma të tjera alternative të kujdesit”.

Në njoftimin e Zyrës së UNICEF-it në Shkup shtohet se duhet të inkurajohen partneritetet ndërsektoriale në luftën për çrrënjosjen e trafikimit të fëmijëve. Bashkëpunimi me sektorin civil, me fëmijët që kanë përjetuar abuzimin dhe me grupet e udhëhequra nga të mbijetuarit e ish-trafikimit është kyç për ndërtimin e strategjive parandaluese dhe sistemeve të reagimit të përshtatura për fëmijët dhe të bazuar në informacionin për traumën e përjetuar.