Pas vrasjes në Debresh, banorët kërkojnë dënim maksimal për dorasit dhe dëbimin e familjeve të tyre nga fshati

Pas vrasjes së të riut në Debresh të Vrapçishtit, familjarët e viktimës dhe banorët e tjerë kërkojnë dëbimin e familjes së dorasëve nga fshati. Kjo kërkesë u bë në një protestë paqësore të mbajtur mbrëmë përmes së cilës kërkuan që dorasit të marrin dënimin maksimal.

“Jemi mbledh sot për të protestuar në mënyrë paqësore, pra paqësore ju lutem, të marshojmë për në qendër të fshatit dhe pastaj vazhdojmë rrugës poshtë. Çdo koment është i tepërt, secili me dorën në zemër e di këtë rast. Andaj shpresojmë në organet e drejtësisë që dorasi ta merr dënimin e duhur. Andaj sot shprehim revoltën tonë në mënyrë paqësore”, tha Adem Karimani, familjar i viktimës.

A kërkoni edhe shpërngulje nga fshati, a është protesta me atë qëllim.

“Po po, kërkojmë të shpërngulen, po”.

Ndryshe, javë më parë, në orët e mbrëmjes, pas një zënke verbale mes të viktimës, 35 vjeçarit, me iniciale R.K, dhe vëllezërve B.V, dhe J.V, për një çështje banale, dy vëllezërit largohen nga vendi, dhe kthehen të armatosur me pistoletë e kallashnikov, duke shtënë nga vetura në drejtim të 35 vjeçarit i cili ndërroi jetë në vendin e ngjarjes në oborrin e shtëpisë së tij. Për këtë rast policia ka arrestuar tre vëllezërit nga fshati Debresh.