Korridori 8/ Mexhiti: Është konstatuar korrupsion, por projekti vazhdon të jetë prioritet për VLEN!

Zëvendëskryeministri Izet Mexhiti siguruar se projekti për ndërtimin e korridorit 8 do të vazhdojë të jetë prioritet edhe i koalicionit VLEN por edhe i Qeverisë, duke i hedhur poshtë në këtë mënyrë supozimet për ndërprerjen e projektit.

Duke komentuar deklaratët e përfaqësuesit special për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarazin për qasjen e qeverisë së re në RMV ndaj Korridorit 8, Mexhiti tha se, është nxjerrë prek kontekstit, pasi sipas tij,në buxhetin e Maqedonisë pjesa më e madhe e mjeteve janë të parapara pikërisht për Korridorin 8.

Megjithatë, ai pohon se, janë konstatuar disa parregullsi në projekt, por që kjo nuk do të thotë se i njëjti do të ndërpritet.

“Sa i përket një segmenti, aty ka problem sepse është konstatuar korrupsion i madh, flas vetëm për segmentin e hekurudhës që duhet të shkojë me Bullgarinë, por kjo nuk do të thotë që Korridori 8 spostohet, Korridori 8 ka qenë, mbetet dhe do të jetë në prioritetet e VLEN-it dhe qeverisë së tanishme” – tha Izet Mexhiti, zv/kryeminister.

Ndërkaq, sa i përket vendimit të ministrit të Administratës, Goran Minçev për ndryshim të përqindjes së Balancuesit, Mexhiti tha se deklarata e Minçevit nuk është në përputhje me ligjin.

“Në ligj thuhet se përfaqësimi adekuat duhet të jetë sipas përfaqësimit adekuat të popullatës, nuk thuhet për rezidente ose jorezidente. Normalisht, iniciativa të tilla do të shkaktojnë përgjigje nga ana jonë, por ne nuk jemi ata që inicojnë një gjë të tillë. Ne jemi të përkushtuar në shtyllat e qeverisë, zhvillim ekonomik, standard jetësor, luftë kundër korrupsionit, eurointegrime, këto janë shtyllat tona. Ne nuk duam të dalim nga kjo platformë. Mendoj se dhe kolegët tanë do ta kuptojnë se duhet të jenë në funksion të kësaj platforme, e jo të politikës ditore” – tha Izet Mexhiti, zv/kryeminister.

Ministri Minçev, që vjen nga radhët e lëvizjes ZNAM, në arsyetimin e vendimit për ndryshimin e përqindjes së balancuesit tha se, në përllogaritjen e balancuesit do të përfshihet vetëm numri i popullsisë rezidente si pjesë e planeve vjetore të punësimit në institucionet e sektorit publik dhe popullsia jorezidente përjashtohet nga përllogaritja e balancuesit. Në këtë mënyrë, sipas përllogaritjeve të reja, përqindja e shqiptarëve është ulur nga 29,52% në 24,30%. /tvklan.mk/