Sot shënohet 61 vjetori I tërmetit katastrofik në Shkup.
Nga tërmeti me fuqi prej 6.1 shkallësh të Rihterit që goditi Shkupin më 26 korrik të vitit 1963, humbën jetën 1.070 persona, ndërsa rreth tre mijë persona morën lëndime. Në kuadër të kësaj dite shënohen aktivitete të shumta.
Me aktiviete të ndryshme kulturore sot në Shkup shënohet 61 vjetori i tërmetit katastrofik që ndodhi në orët e hershme të mëngjesit të 26 korrik 1963, ku humbën jetën 1070 persona dhe u plagosën 3000 të tjerë. Mbi 200,000 banorë mbetën të pastrehë.
Qyteti i Shkupit pas tërmetit që shkatërroi më shumë se 80 për qind të objekteve të asaj kohe, u rindërtua nga ndihmat që erdhën në këtë vend nga shumë shtete të botës, duke marrë kështu epitetin ‘Qyteti i Solidaritetit’. Më 23 shtator 1963, 35 shtete kërkuan nga Asambleja e Përgjithshme që në rendin e ditës të seancës të vendosë një pikë për marrjen e masave me rastin e tërmetit në Shkup.
Më 14 tetor, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi njëzëri Rezolutën për t’i ofruar ndihmë qeverisë jugosllave në rindërtimin e Shkupit, duke shprehur keqardhjen për fatkeqësinë e madhe. Në debatin për dhënien e ndihmës për Shkupin, Asambleja e Përgjithshme dëgjoi prezantimin e përfaqësuesve nga mbi 20 vende nga të gjitha kontinentet. Ajo ditë mbeti në analet e Kombeve të Bashkuara si dita e Shkupit. Aktualisht, akrepat e ndalur në orën 5 e 17 minuta te Stacioni i vjetër hekurudhor, i cili është shndërruar në muze, mbeten simboli që kujton tërmetin e vitit 1963 në Shkup.
Në këtë muze janë të ekspozuara shumë fotografi, kronika të gazetarëve ndërkombëtarë dhe të vendit mbi tragjedinë që solli tërmeti i vitit 1963, si dhe gjësende që simbolizojnë Shkupin. /tvklan.mk