Procedurë penale ndaj tre policëve, gjuajtën me armë zjarri gjatë orarit të punës

Departamenti për Kontroll të Brendshëm, Hetime Penale dhe Standarde Profesionale pranë MPB-së ka dorëzuar kallëzim penal kundër tre zyrtarëve policorë për veprën “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.

Siç njoftojnë nga MBP bëhet fjalë për A.D, D.D policë në Tearcë, si dhe J.B polic në pikën kufitare Jazhincë.

“Gjegjësisht, i raportuari i parë A.D. më datë 23.05.2022 dhe i raportuari i dytë D.D. më datë 24.05.2022 gjatë orarit të punës derisa ishin të angazhuar në një zonë pyjore në afërsi të vendit të quajtur “Gjinov Kamen”, pa plotësuar kushtet ligjore për përdorimin e armëve të zjarrit, kanë shtënë me automatik zyrtar në prani edhe të punonjësve të tjerë të policisë që ishin të punësuar së bashku me ta. Gjithashtu, i raportuari i parë A.D. më 29.02.2024 dhe i kallëzuari i tretë J.B. më datë 08.03.2024, në kohën kur nuk ishin të angazhuar në punë, në një zonë pyjore afër vendit të quajtur “Gjinov Kamen”, në prani të disa personave, kanë shtënë me automatik. Kontrolli i Brendshëm do të dorëzojë Propozim për fillimin e procedurës për përcaktimin e përgjegjësisë disiplinore ndaj punonjësit të policisë J.B dhe do të shqiptojë masa të detyrueshme për largim nga vendi i punës deri në përfundimin e procedurës disiplinore. Për punonjësit e policisë A.D. dhe D.D., për shkak të skadimit të afateve për zhvillimin e procedimit disiplinor, nuk do të paraqitet propozim për fillimin e procedimit për shkelje të rendit dhe disiplinës së punës”, thonë nga MPB.