Qyteti i Parisit do të marrë një vendim që do të ndalojë efektivisht testimin e taksive fluturuese gjatë Lojërave Olimpike, të cilat fillojnë në fund të korrikut në kryeqytetin francez.
Më herët, qeveria kombëtare i dha leje kompanisë gjermane “Volocopter” që të testonte mjetin e saj fluturues duke përdorur një platformë lundruese për t’u ngritur dhe ulur në lumin Seine. Tani komisioneri mjedisor i qytetit Dan Lert ka bërë të ditur se autoritetet e qytetit kanë pranuar kërkesën e degës lokale të Partisë Komuniste për të parandaluar testimin e makinave fluturuese, raporton “Deutsche Welle”.
Taksitë fluturuese janë një absurditet mjedisor që synon ultra të pasurit,” tha Lert, një politikan i Partisë së Gjelbër. Ai e quajti një “skandal demokratik” që autoritetet qendrore po i imponojnë “me dhunë” projekte të tilla Parisit.
Lert tha se një fluturim në një taksi të tillë – i cili funksionon praktikisht si një dron i madh me bateri – konsumon tridhjetë herë më shumë energji sesa një udhëtim në metro dhe shtoi se lëshon 45 herë më shumë gazra të dëmshëm. Askush nga “Volocopter” gjerman nuk ka komentuar ende vendimin e qytetit të Parisit, transmeton “AFP”.
Pak ditë më parë, qeveria franceze dha dritën jeshile për një “taksidromë” pranë stacionit të trenit në Paris Austerlitz në qendër të qytetit, jo shumë larg Kopshtit Botanik dhe Katedrales Notre Dame. Jashtë qendrës së qytetit tashmë ka disa zona të tilla ngritjeje dhe uljeje.
Gara për fluturimin e parë komercial
Sipas lejes së dhënë nga Qeveria, lejohen të kryhen vetëm fluturime falas si demonstrim se çfarë mund të bëjnë këta avionë. Nuk lejohen ende fluturime komerciale. Por Parisi do të ishte padyshim një reklamë e shkëlqyer për Volocopter në tregun e taksive fluturuese ku kompani të shumta gjermane, kineze dhe amerikane po përpiqen të “shpërthejnë” me avionët e tyre. Rreth 150 kompani në mbarë botën aktualisht po punojnë për të.
Taksia fluturuese, e cila është planifikuar të demonstrohet gjatë Lojërave, ka vend për dy pasagjerë. Duket si një helikopter me 18 helikë të vegjël të vendosur rreth çatisë së tij. Ajo ka ende një pilot – por ideja është që një ditë të marrë një licencë për të fluturuar në mënyrë autonome.
Në shkurt të këtij viti, “Volocopter” tashmë mori lejen nga Administrata Federale e Aviacionit Gjerman për të filluar prodhimin serik të avionit. Por Volocopter shmangi ngushtë falimentimin këtë qershor pasi kompania siguroi para të reja për të filluar prodhimin masiv. Ata shpresojnë të bëjnë fluturimet e para komerciale këtë vit – përveç Parisit, përmendet edhe Roma.