Në konferencën e përbashkët me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, të mbajtur të shtunën në Beograd, kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz tha se me presidentin serb, ka biseduar edhe për temën e Kosovës.
“Folëm për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën dhe kjo është shumë me rëndësi”, theksoi Scholz. “Atje, kemi arritur marrëveshje, jemi pajtuar dhe kemi definuar qëllimet, të cilat duhet t’i zbatojnë palët dhe dëshiroj të potencoj se do të bëjmë gjithçka që mundemi, që secila palë të japë kontributin e saj dhe të përmbushë zotimin e dhënë në mënyrë që perspektiva e përbashkët evropiane, pra e integrimit në Bashkimin Evropiane të arrihet”, ka nënvizuar kancelari gjerman.
“Edhe njëherë po them se ne duam të bëjmë gjithçka që është e mundur, që kjo të arrihet me një shpejtësi më të madhe, që të ecim përpara”, theksoi Scholz. Kancelari i Gjermanisë Olaf Scholz ka nënvizuar edhe perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor.
“Dëshiroj që vizitën time këtu ta shfrytëzoj për të theksuar edhe një herë qëndrimin e qartë të Gjermanisë për perspektivën evropiane të Ballkanit perëndimor. Është ambicia ime dhe përkushtimi im, të ndihmoj dhe të kujdesem që shtete e Ballkanit Perëndimor, pas premtimit që iu është bërë 20 vite më parë në Samitin e Selanikut për integrim në Bashkimin Evropian, që pas një kohe kaq të gjatë, këto vende të kenë të hapur këtë perspektivë dhe që ky premtim të përmbushet. Pra, mbetet një premtim që duhet të plotësohet dhe ne duam të ndihmojmë që ky premtim të bëhet realitet, pasi integrimi evropian do të qojë përpara mirëqenien, stabilitetin dhe paqen në rajon”, tha ai.
“Këtë zotim, ka dhjetë vite që Gjermania e shtyn përpara dhe është duke mbështetur përmes të ashtuquajturit Procesi i Berlinit dhe këtë do të vazhdojmë ta bëjmë edhe më tej”, tha tutje Scholz.
“Në tetor do të mbahet takimi radhës i Procesit të Berlinit ku do të theksoj edhe një herë faktin se perspektiva e integrimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian nuk ka alternativë”, nënvizoi ai.
Të gjitha këto çështje Scholz tha se i ka biseduar gjatë takimit me presidentin e Serbisë. “Për shembull theksova se perspektiva evropiane e shteteve dhe popujve në Ballkanit Perëndimor ndihmohet edhe nga raportet e mira fqinjësore. Për raportet dhe fqinjësinë e mirë mes vendeve në Ballkanin Perëndimor duhet të kontribuojmë së bashku, prandaj shfrytëzova edhe një herë rastin të theksoj nevojën e marrëdhënieve të mira fqinjësore me Bosnjë e Hercegovinën dhe integritetin e saj territorial dhe shtetëror, që është një projekt i rëndësishëm në rrugën evropiane drejt BE-në”, ka theksuar mes tjerash kancelari gjerman, i cili tha se për nevojën e fqinjësisë së mirë me presidentin serb foli edhe për Kosovën.