Kosovë/ 40 ditë paraburgim për të kërkuarin nga Maqedonia e Veriut, i dyshuar për vrasje të rëndë

Në njoftimin për media bëhet e ditur se pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda, ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar mirë se kundër të pandehurit është lëshuar urdhër arrest ndërkombëtar nga Interpoli, me kërkesa të datave 25 korrik 2008 të shtetit të Maqedonisë së Veriut, për shkak të veprës penale vrasja e rëndë.

Lidhur me këtë i pandehuri F.K., dyshohet se veprën penale të përshkruara më lartë e ka kryer në shtetin e Maqedonisë së Veriut dhe i njëjti më datën 18 korrik 2024, është ndaluar dhe arrestuar nga Policia e Kosovës – Stacioni Policor në Kaçanik.

Gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit e ka aprovuar si të bazuar konform nenit 22 paragrafi 1 të Ligjit për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtarë në Çështje Penale (Ligji nr. 04/L-213) dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 40 ditëve.