Nico Williams është objektivi i madh i merkatos verore për Barcelonën. “Ylli” i Athletic Bilbaos shkëlqeu me kombëtaren spanjolle, duke dhënë kontribut të madh në fitimin e Euro 2024.
Mbërritja e tij do të forconte ndjeshëm ofensivën e skuadrës së Hansi Flick, por Rivaldo, një legjendë e Barçës dhe kombëtares braziliane, thekson se sulmuesi bask nuk mjafton për të rrëzuar Realin nga “froni”.
“Edhe pse kam dashuri të madhe për Barcelonën, unë nuk mund të gënjej: Reali i Madridit është i avantazhuar, është përpara katalanasve. Sigurisht që do të ishte diçka shumë pozitive nëse Nico Williams shkon te Barça.
Por unë vazhdoj t’i qëndroj idesë se skuadra ka nevojë edhe për një ose dy përforcime të tjera për t’u kthyer Barcelona që magjepsi botën.
Në letër skuadra forcohet shumë me Nicon, por një gjë e tillë duhet shfaqur në fushë. Nevojitën dy mbrojtës dhe një sulmues…
Me nënshkrimin e tre lojtarëve të njohur dhe cilësorë Barcelona mund të garojë për tituj sezonin e ardhshëm.
Lewandowski? Yll botëror, e dimë të gjithë, sikurse dimë se ka raste kur mosha dhe dëmtimet kanë koston e tyre”, u shpreh Rivaldo, fitues i Kupës së Botës dhe Topit të Artë.