Një polic është vrarë dhe njëri është plagosur rëndë të enjten në Serbi. Siç raportojnë mediat serbe, në vendngjarje është gjetur pasaporta e një personi me nënshtetësi kosovare, me emrin Artan Hajrizi. Në vendngjarje ishte gjetur edhe një dokument identifikues gjerman.
Siç raporton N1-shi serb, duke e cituar Ivica Daçiq, gjatë kontrollit të automjetit në pikën e kontrollit në Lipniçki Sor në Llozhnicë, fshat në afërsi të pikës kufitare mes Serbisë dhe Bosnjës, punonjësit e policisë kanë ndaluar një “Mercedes” me targa të Tutinës, në të cilin ndodheshin dy persona, përcjell Gazeta Insajderi.
Çdoherë sipas këtij mediumi, Daçiq ka thënë se duke dalë nga vetura, një person ka qëlluar me pistoletë, duke e goditur policin Nikolla Kërsmanoviq (34-vjeçar) në gjoks dhe Vjekoslav Iliq (50-vjeçar) në shpatull, pas së cilës sulmuesi ka ikur.
Policia serbe, vijon raportimi, në vend ka gjetur pasaportën e të dyshuarit të lëshuar nga institucionet e Kosovës në emër të Artan Hajrizit (33-vjeçar) dhe një letërnjoftim gjerman.
MPB’ja serbe ka publikuar fotografinë e Hajrizit.