Qeveria nuk e ka menduar ende një gjë të tillë, por qytetarët bëjnë apel që orari i punës në administratë, në këto ditë të nxehta, të reduktohet, shkruan Alsat.
Qëndrimi për orë të tërë, ndonjëherë i bllokuar në zyra nën ajrin e kondicionuar, nuk është produktiv, as për ata dhe as për punëdhënësit në përgjithësi.
Më së shumti ankohen ata që punojnë në administratën shtetërore, veçanërisht ata që merren me dokumente e dosje, ose që duhet të plotësojnë orarin e punës pavarësisht nëse qytetarët shfaqen apo jo për shërbime në sportelet e tyre.
Por, pa vërejtje nuk kalon as sektori privat, që në një mënyrë a tjetrën, i detyron punonjësit të respektojnë oraret fizike të punës, dhe jo në varësi të cilësisë së veprimtarisë së tyre.
“Shumë është nxehtë, diku ka ndoshta kondicioner por diku edhe nuk ka, ja të moshuarit para pensionit 50 apo 60 vjeçar ata ç’të bëjnë. Duhet së paku këtë muaj, muajin tjetër nga i 15 do të ulen temperaturat”, tha një qytetar.
“Së paku dy tre orë të lëshojnë popullin sepse i ri a i moshuar të gjithë bien, nuk ka vite apo shtatzëna apo 60, kur ja edhe të rinj bien”, u shpreh një qytetare.
“A duhet të reduktohet orari i punëtorëve sidomos gjatë vërës? Po mendoj se po, sepse ka të sëmurë nga sheqeri, shtypja dhe pa dallim moshës mendoj se duhet të merret parasysh po ashtu edhe për personat me nevoja të veçanta që punojnë, para pensionit pasi siç duket gjysma e popullatës janë të sëmurë, jeta është e vështirë, më shumë ka të sëmurë se të shëndoshë në shtet”, theksoi një qytetar.
Punëtorët e ndërtimtarisë janë ata që më së shumti punojnë dhe më së pakti kanë gojë për t’u ankuar. Edhe sot i pamë në ambiente të hapura pas orës 11:00.
Po ashtu, në rrugë ndeshnim edhe njerëz që përditshmëria i nxirrte në ambiente të hapura për të kryer detyrimet e tyre familjare, disa prej të cilëve edhe pa mjete mbrojtëse.
Administrata prapëseprapë ka më pak ekspozim në diell krahasuar me disa profesione, ndërkohë që është i njohur fakti se efikasiteti i saj, sipas raporteve vëzhguese, nuk është më i miri./ Alsat.mk