Një biznesmen nga Shkupi është gjetur i vdekur pranë një veture

Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) sot në mëngjes ka konfirmuar vdekjen e biznesmenit të njohur Çedomir Radomiroviq, i cili dje është gjetur me lëndime në kokë pranë një veture në Orman të Shkupit, transmeton Portalb.mk.

Gjashtëdhjetë e shtatë vjeçari Radomiroviq u gjet dje pak para orës 19:00 pranë një veture të parkuar Lexus me targa të Shkupit. Atij i rridhte gjak në pjesën e kokës, ndërsa pranë tij kishte një armë dhe një gëzhojë.

“Është konstatuar se është R.Ç. (67). Ai është dërguar në Qendrën Klinike “Nënë Tereza”, me automjet të ndihmës së shpejtë mjekësore, ku ka ndërruar jetë pas plagëve të marra”, njofton MPB.

Ministria për momentin nuk ka bërë të ditur nëse bëhet fjalë për vrasje apo vetëvrasje. Ata theksojnë se policia po merr masa për zbardhjen e rastit.

Çedomir Radomiroviq ishte i afërt me ish-strukturat e larta partiake të VMRO DPMNE-së, veçanërisht me sekretarin e atëhershëm të partisë Boris Zmejkovski. Ai ishte një nga biznesmenët e paktë që e mbështeti financiarisht këtë parti në ditët opozitare të viteve ’90 të shekullit të kaluar.

Ai ishte themeluesi i Rado Bank, e cila dështoi  në vitin 2005 pasi Banka Popullore e Maqedonisë deklaroi se ishte e paaftë për të paguar dhe nuk mund të ekzekutonte urdhërpagesat.