Udhëheqësit botërorë dënuan të shtënat me armë zjarri ndaj kandidatit të pritur republikan për president të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, një incident që tronditi fushatën zgjedhore në SHBA dhe rriti frikën për dhunë të mëtejshme politike.
Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Antonio Guterres dënoi atë që Byroja Federale e Hetimit (FBI) e cilësoi si tentim-vrasje.
“Sekretari i Përgjithshëm dënon këtë akt të dhunës politike. Ai i dërgon urimet e tij më të mira presidentit Trump për një shërim të shpejtë”, tha në një deklaratë zëdhënësi i Guterres, Stephan Dujarric.
Trump ishte duke folur në një tubim më 13 korrik në Pensilvaninë perëndimore kur u dëgjuan disa të shtëna. Më vonë, ai tha se një plumb i shpoi pjesën e sipërme të veshit të djathtë.
Dy persona u vranë, përfshirë sulmuesin e dyshuar dhe dy persona që ishin në audiencë po ashtu u plagosën rëndë.
FBI ka identifikuar të dyshuarin si Thomas Matthew Crooks, 20 vjeç, nga Pensilvania.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se ishte “thellësisht e tronditur” nga të shtënat.
“Dhuna politike nuk ka vend në një demokraci”, shkroi ajo në X, që më herët njihej si Twitter.
“I uroj Donald Trumpit shërim të shpejtë dhe i shpreh ngushëllimet e mia familjes së viktimës së pafajshme”, shtoi ajo.
Kryeministri kanadez, Justin Trudeau, tha se dhuna politike nuk është kurrë e pranueshme.
“Mendimet e mia janë me ish-presidentin Trump, ata që ishin në vendngjarje dhe të gjithë amerikanët”, tha ai në një postim për X.
Shefi i diplomacisë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se ishte i tronditur, duke e dënuar ashpër sulmin.
“Edhe një herë ne jemi dëshmitarë të akteve të papranueshme të dhunës kundër përfaqësuesve politikë,” shkroi ai për X.
Ndërkaq, kryeministri hungarez, Viktor Orban, i cili ditë më parë e vizitoi Trumpin në shtëpinë e tij në Floridë tha se mendimet e tij dhe lutjet ishin me ish-presidentin e SHBA-së.
Presidenti i Ukrainës, i cili ka pasur një marrëdhënie të vështirë në të kaluarën me Trump, tha se ishte i tmerruar kur dëgjoi për të shtënat.
“Dhunë e tillë nuk ka justifikim dhe nuk ka vend askund në botë”, shkroi ai në X.
Shërim të shpejtë Trumpit i uroi kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu.
Për atentatin ndaj Trumpit kanë reaguar edhe liderët e rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka dënuar tentim-vrasjen ndaj Trumpit, duke i uruar shërim të shpejtë dhe të plotë.
“Mospajtimet politike në një demokraci gjithmonë duhet të shprehen përmes formave paqësore të fjalës dhe protestës dhe të zgjidhen nga zgjedhje të lira dhe fer”, shkroi ai në X.