Legjitimitet, Rezolutë për domosdoshmërinë e zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit, Marrëveshjes së Prespës dhe Marrëveshjes për fqinjësi të mire, së bashku me ndryshimet kushtetuese dhe Rezoluta mbi organizatën politike, ishin tri rezolutat të cilat , të shtunën në mbrëmje u miratuan nga ana e anëtarëve e organeve drejtuese të mbledhura në Mbledhjen e Përgjithshme të mbajtur në Gostivar nga Bashkimi Demokratik për Integrim.
ARBËR ADEMI, ZËDHËNËS I BDI-SË
“BDI së bashku me aleatët e vet, me Frontin Europian, ka fituar në mënyrë absolute, e ka legjitimitet absolut të shqiptarëve, madje- madje për herë të parë në historinë pluraliste të RMV-së, jemi forca e dytë politike në mbarë vendin”.
Ndërkaq, sot kryetari i Lëvizjes Besa,pjesë e koalicionit VLEN, Bilall Kasami duke komentuar mbledhjen e përgjithshme të Bashkimit Demokratik tha se VLEN ka legjitimitetin e shqiptarëve, teksa BDI ka hallin e funksionarëve të vetë.
BILALL KASAMI,KRYETAR I LËVIZJES BESA
“Ne kemi sqaruar se koalicioni VLEN ka legjitimitetin e plotë të përfaqësimit të shqiptarëve, BDI dhe Ali Ahmeti duhet të kenë hallin e funksionarëve të tyre të cilët kanë keqpërdorur pozitat zyrtare dhe për të cilët ata duhet të japin llogari”.
Gjatë fjalimit të tij në Gostivar, kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti tha se VLEN në qeveri nuk kanë eksperiencë dhe se janë aty vetëm nga vullneti që ka partia maqedonase VMRO-DPMNE për bashkëqeverisje.