Rezoluta e BDI për legjitimitetin: Mospërfillje që ka tendencë të asgjësimit të vullnetit politik dhe partive shqiptare

Bashkimi Demokratik për Integrim sot ka mbledhur strukturat e tij në Gostivar ku anëtarët e organeve drejtuese të mbledhur në këtë Mbledhje të Përgjithshme, miratuan këto tri rezoluta: Legjitimitet, Rezolutë për domosdoshmërinë e zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit, Marrëveshjes së Prespës dhe Marrëveshjes për fqinjësi të mire, së bashku me ndryshimet kushtetuese dhe Rezoluta mbi organizatën politike.

Nga BDI konstatojnë gjendjen shqetësuese, të krijuar për shkak të mos respektimit të vullnetit politik të shqiptarëve si komuniteti i dytë më i madh në vend.

“Nënvizojmë se mospërfillja e vullnetit politik të shqiptarëve largon vendin dhe bashkëjetesën ndëretnike si vlerë e shoqërisë sonë nga normat e vendosura në pajtim me MO-në dhe atakon parimin e shumicës së dyfishtë që buron nga MO-ja, ky parim nuk është vetëm një instrument formal ligjor, por paraqet një instrument garantues për pjesëmarrje të drejtë në qeverisje duke siguruar që të dy komunitetet kryesore në RMV të qeverisin duke u mbështetur në vullnetin e shprehur në zgjedhje e jo në arbitraritet e majorizim!

Vlerësojmë se bashkëpunimi, tolerance dhe harmonia ndëretnike mbeten vlera për të cilat duhet të angazhohen të gjithë aktorët politik, pa përjashtim e pa dallim nga përkatësia e tyre etnike e ideologjike, gjithmonë duke pasur parasysh edhe faktin se garantues të MO-së kanë qenë aktorë relevantë nga komuniteti ndërkombëtar – Bashkimi Evropian dhe ShBA-të duke luajtur një rol kyç në arrtijen e kohezionit ndëretnik, prej momentit të nënshkrimit të MO-së e deri më sot;

Konstatojmë se legjitimiteti buron nga populli dhe vetëm popullit, respektivisht sovranit, i takon të zgjedhë përfaqësuesit e vet në Qeveri dhe çdo praktikë apo shembull ndryshe shpien dhe dikton praktika në të cilat populli, sovrani, ndjehet i mospërfillur dhe i anashkaluar nga pushteti, pavarësisht shprehjes së vullnetit politik nëpërmjet pjesëmarrjes në zgjedhje në ditën e votimit;

Nënvizojmë se shqiptarët duhet të vazhdojnë praktikën e daljes në zgjedhje, organizimit nëpër parti të tyre politike me qëllim të zgjedhjes së pëfaqësuesve të tyre drejtpërdrejtë nga vetë ata e jo nga partia fituese në kampusin politik maqedonas;

Konfirmojmë se legjitimiteti nënkupton dakordësinë e popullit me formimin dhe funksionimin e organeve shtetërore; legjitimiteti ka lidhje të ngushta me parimet e drejtësisë dhe është hallkë e rëndësishme për jetë të përbashkët brenda shtetit;

Në kuptimin më të gjerë të fjalës, legjitimiteti ka për qëllim vendosjen e sistemit juridik funksional dhe të harmonizuar, me respektim të të drejtave dhe lirive të njeriut dhe qytetarit si dhe me respektim të kompetencave të organeve shtetërore. Rrjedhimisht, legjitimiteti është inkompatibil me anarkinë, pasigurinë dhe arbitraritetin e organeve shtetërore ose të individëve të caktuar.

Shprehim shqetësimin tone se mosrespektimi i legjitimitetit të shqiptarëve do të zbehë deri në zhbërje nevojën e organizimit politik të shqiptarëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut, duke na kthyer prapa në situata të cilat historia i ka shënuar si periudha të nëpërkëmbjes së të drejtave të shqiptarëve.

Prandaj, çdo tendencë për kthim prapa do të jetë e papranueshme dhe e kundërshtuar nga ana jonë;

Ritheksojmë nevojën për qasje më proaktive të forcave kryesore ndërkombëtare që garantuan paqen duke përkrahur Marrëveshjen e Ohrit dhe potencojmë se një ndër postulatet kryesore që buron nga Marrëveshja e Ohrit është pikërisht mbrojtja nga majorizimi, gjë e cila aktualisht po minohet deri në fundosje të mundshme duke lejuar dhe duke mundësuar marrjen në Qeveri të koalicionit jo-fitues i cili nuk e manifeston vullnetin politik të shqiptarëve në RMV dhe si i tillë e shndërron Qeverinë në një Qeveri pa legjitimitet etnik;

Konsiderojmë se në vendet demokratike pushteti mund të merret në disa mënyra, por autoriteti i pushtetit mund të sigurohet vetëm nga populli, në zgjedhje.

Ritheksojmë se vullneti i shqiptarëve i shprehur në zgjedhjet e funndit nuk është përfillur dhe kjo mospërfillje ka tendencë për shkatërrimin e konceptit të barazisë së krijuar ndër vite;

Kjo mospërfillje ka tendencë të asgjësimit të vullnetit politik dhe partive politike shqiptare;

Kjo mospërfillje mund të ketë impakt të padëshiruar ndaj përpjekjeve dhe të arriturave të deritanishme në raportet ndëretnike, gjithmonë në pajtim me MO-në dhe garantuesit kryesorë të saj dhe,

Kjo mospërfillje ngjason me praktikat jodemokratike të zbatuara gjatë regjimeve të kaluara në ish-Jugosllavi në të cilat përfaqësuesit e popullit në organet shtetërore zgjidheshin në mënyrë arbitrare dhe në kundërshtim me vullnetin e popullit!”, thuhet në rezolutën e parë, Legjitimiteti.