Dyzet e nëntë vjeçarja S.M. nga Republika e Serbisë dje është gjetur e lënduar në autostradën Demir Kapi – Negotinë, njofton Sektori i Punëve të Brendshme (SPB) Veles. Gruaja me lëndime trupore është gjetur mbrëmë në orën 19:50 nga zyrtarët policorë të Sektorit të Punëve të Brendshme në Negotinë në autostradën pas pikëpagesës më “Demir Kapi”, transmeton Portalb.mk.
Pas gjetjes së gruas, shtoi SPB Veles, është zhvilluar bisedë me bashkëshortin e gruas, 52-vjeçarin B.M. Deklarata e tij ishte se teksa po ktheheshin nga pushimet në Greqi, gruaja e tij, për të cilën tha se kishte probleme shëndetësore, e ka sulmuar në makinë, pas së cilës ka pasur përleshje fizike.
Siç tha ai, ka ndaluar veturën dhe e ka lënë S.M. përgjatë rrugës, e më pas me veturën, në të cilën ishin djali edhe mbesa e tyre e mitur, kanë vazhduar rrugën drejt pikës kufitare “Tabanovc”.
Gruas së lënduar i është dhënë ndihma mjekësore nga Emergjenca Mjekësore e Negotinës, e më pas është transferuar në objektin shëndetësor “Negorci”.
Për ngjarjen është njoftuar Prokurori Publik, shtoi SPB Veles dhe po ndërmerren masa për zbardhjen e plotë të rastit.