Kuvendi i Maqedonisë së Veriut sot e ka shënuar 11 Korrikun – Ditën ndërkombëtare të përkujtimi të gjenocidit në Srebrenicë. Kryetari i Kuvendit Afrim Gashi, tha se kjo ditë përkujton ngjarjen e tmerrshme që e cila kujton çdo ditë brishtësinë, por edhe vlerën e paçmueshme të paqes, sundimin e ligjit, bashkëjetesën, demokracinë dhe respektimin e të drejtave të njeriut.
Gashi tha se paqja, sundimi i së drejtës, bashkëjetesa, demokracia dhe respektimi i të drejtave të njeriut janë vlera kruciale që të gjitha shoqëritë e qytetëruara dhe demokratike duhet t’i ruajnë, kultivojnë dhe përmirësojnë në epokën e globalizimit. “Në emër të deputetëve në Kuvend dhe në emrin tim personal u shpreh ngushëllimet e mia të sinqerta për viktimat e gjenocidit në Srebrenicë anëtarëve të familjeve të tyre, qytetarëve dhe institucioneve të Bosnjë dhe Hercegovinës dhe bashkëqytetarëve tanë boshnjakë. Gjenocidi në Srebrenicë prej para 29 vjetësh është ende i freskët në memorien kolektive, veçanërisht në mesin e qytetarëve të këtyre hapësirave”.
“Në korrik të vitit 1995, për vetëm disa ditë, u vranë më shumë se tetë mijë boshnjakë, nga mosha gjashtë mujore deri në 90 vjeç, në një nga krimet më të mëdha në territorin e Evropës pas Luftës së Dytë Botërore. Mijëra familje mbetën pa djem, baballarë, vëllezër, motra, nëna… Me qindra mbiemra të njëjtë apo të ngjashëm të shkruar në pllakat e mermerit në Potoçari janë dëshmitarë të heshtur të ekzekutimit të brezave të tërë në një familje”.
“Me mijëra nëna nga Srebrenica, pas luftës, u kthyen në shtëpitë e tyre të zbrazëta dhe të shkatërruara, për të qenë pranë varreve të të afërmve të tyre, ndërsa mijëra viktima të gjenocidit ende po gjurmohen nëpër varreza masive dytësore apo terciare në zona të ndryshme të atij rajoni. Kjo është arsyeja pse ne nuk duhet që t’i shmangemi asaj që ta quajmë këtë akt tragjik të jakderdhjes masive me emrin e vërtetë – gjenocid. Dhe gjenocidi nuk është një ngjarje që ndodh spontanisht dhe që ndodh vetvetiu. Ai ka autor, është një aksion i planifikuar dhe i organizuar, me qëllim të shfarosjes dhe shkatërrimit të tjetrit, në këtë rast të boshnjakëve nga Bosnja dhe Hercegovina”, tha Gashi.
Ai gjithashtu tha se kjo ishte arsyeja që Maqedonia e Veriut, së bashku me shumicën e vendeve të organizatës Botërore, para do kohe e mbështeti Rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, me të cilën dënohet mohimi i gjenocidit dhe glorifikimi i kriminelëve të luftës dhe me të cilën shpallet 11 Korriku si Dita Ndërkombëtare e Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë.
“Kjo Rezolutë, siç theksuan propozuesit e saj, nuk është e drejtuar kundër askujt në veçanti, por u referohet vetëm autorëve të gjenocidit, të cilët gjithsesi janë të njohur përgjithësisht, kurse për disa tashmë janë ekzekutuar aktgjykime ndërkombëtare për krime lufte”.
“Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut çdo vit e shënon Ditën e Përkujtimit të Gjenocidit nga viti 1995, pasi në vitin 2010, me Deklaratë, u mbështet Rezoluta e Parlamentit Evropian për Srebrenicën. Kjo është mënyra jonë për shprehje të respektit për jetët e humbura në mënyrë të dhunshme, ngushëllime ndaj të afërmve të tyre dhe katarsis i njerëzores në të gjithë ne si individë, si shoqëri dhe si shtete”, tha Gashi.