PLAKA, JUNGU DHE UNË

E pata fatin ta takoj një plakë,
paciente në klinikën psikiatrike;
ajo herë hidhërohej, bëhej flakë,
e herë sillej si zonjë simpatike.

Hyra një ditë në dhomën e saj,
dhe e pyeta për jetën e jetuar;
më pa dhe e ngriti zërin pastaj:
”-Përse qenke kaq i interesuar?”

Dua ta di, i fola unë me bindje,
cili është shkaku i halleve të tua;
besomë se nuk jam për grindje,
të respektoj për aq sa më thua.

Më vjen keq, tha, se je shumë i ri,
e m´i numëroi një nga një të tëra;
të dyve na kaploi një melankoli,
kur i renditi dështimet e bëra.

Hë, tha plaka, ja ku i dëgjove,
shko përgatitma terapinë tani;
mirë që asgjë nuk më premtove,
e më hodhi një sy me qesëndi.

Unë kam qenë te Frojdi në Vjenë, po nuk desha më ta shoh me sy; Jungu ishte paksa më në temë, ata eksperimentonin të dy.

Ja ku e kam dhe letërkëmbimin,
llafe, llafe, dhe nënshkrimi i tij;
as ai nuk ma lexoi mendimin,
nuk ma kuptoi trishtimin në sy.

A e vëren spazmën e qafës sime?
Ju doktorët nuk kuptoni aspak!
E kam qëkurse vdiq Nëna ime,
natën kur e gjeta të varur në lak.

Pastaj e mora jetën nëpër këmbë,
dhe asgjë më nuk më vajti mbarë;
e kam mbajtur shpirtin me dhëmbë,
shikomë si dergjem zemërvrarë!”

Se si u shtanga, alamet doktori,
dhe nga ngashëria nuk fola fare;
por ajo u ngrit, për dore më mori,
dhe shikonte tutje nëpër dritare.

“Prania jote, sonte më ka bindur,
se dhe ti beson te dielli e hëna;
unë yje i kam fëmijët e palindur,
te drita e hënës më fanitet nëna.

Nisu ti tashti, se u bë vonë,
dhe mos e harro rrëfimin tim!”
Unë u gëzova për miqësinë tonë,
dhe pash´ në syt´ e saj një vezullim.

[idemisai]

Ripostim 9 korrik 2024.

Foto:

Pamje nga letra e Jungut
dërguar pacientes sime FM,
të cilën e takova 60 vjet
më vonë, në moshën 82vj.