Temperaturat tashmë janë rritur ndjeshëm, çka do të thotë se në asfaltin e nxehtë, sidomos në qytete, ajri atmosferik do të jetë edhe më i nxehtë se më parë.
Tragjedia goditi Roterdamin të hënën kur një foshnjë vdiq pasi mbeti vetëm në një makinë të nxehtë. Siç raportojnë mediat holandeze, kalimtarët kanë vënë re rreth orës 17:00 fëmijën që ishte ende gjallë në makinë. Në atë moment temperatura në Roterdam ishte rreth 25 gradë Celsius.
Policia theu një dritare për të shpëtuar fëmijën, por foshnja ishte në gjendje kritike. Menjëherë janë njoftuar shërbimet e emergjencës, ndërsa në vendngjarje kanë mbërritur tre autoambulanca dhe një helikopter. Mjekët u përpoqën ta ringjallën fëmijën, por pa rezultat.
Gati 750 fëmijë kanë vdekur në dekadën e fundit sepse kanë mbetur në një makinë të mbyllur në mot të nxehtë, edhe kur ajo ishte e parkuar në hije. Në Shtetet e Bashkuara, mesatarisht 30 fëmijë vdesin të mbyllur në makina që kthehen në “furra të nxehta” pas njëfarë ekspozimi në diell.
Prej vitesh, mediat dhe rrjetet sociale kanë lëshuar paralajmërime se nuk duhet t’i lini fëmijët dhe kafshët shtëpiake në makinë ndërkohë që jeni duke “bërë punë”.
Revista shkencore Temperatures publikoi një tekst në të cilin pretendon se mjafton që një fëmijë të kalojë 60 minuta në një makinë të mbyllur në mot të nxehtë për të vënë në rrezik jetën e tij.
Domethënë, fëmijët janë më të ndjeshëm ndaj ndryshimeve të temperaturës sesa të rriturit, ngrohen më lehtë dhe ftohen shumë më vështirë. Ata gjithashtu nuk janë në gjendje të dalin nga makina nëse nuk ndihen mirë.
Shkencëtarët, në konsultim me mjekët, kanë llogaritur se një temperaturë e trupit prej 40 gradë Celsius është e mjaftueshme për të shkaktuar të gjitha simptomat e goditjes nga nxehtësia, e cila më pas mund të rezultojë në dështim të organeve, dëmtim të trurit ose vdekje.
Eksperimentet u kryen me tre grupe automjetesh të parkuara në mënyrë alternative midis qershorit dhe korrikut 2014 në qytetin Tampa, Arizona. U vu re një rritje e temperaturës dhe shkencëtarët morën në konsideratë skenarë se si temperatura do të ndikonte në trupin e fëmijës, pra te kafshët.
Për sa i përket kohës, u desh më së shumti kohë për të ngrohur një furgon dhe më së paku për makinat e vogla me ngjyrë të errët. Temperatura në automjete pas një ore ka qenë 46 gradë Celsius, ndërsa timoni, sediljet dhe pjesa e përparme e veturës kanë qenë edhe më të nxehta. Pas një ore në hije në mot të nxehtë, temperatura ishte 37 gradë Celsius.
Pas një ore ekspozimi në diell ose dy orë në hije, një fëmijë ose kafshë shtëpiake, nëse lihet në një makinë të mbyllur, do të jetë në rrezik vdekjeprurës.
“Të gjithëve na ka ndodhur të futemi në një makinë të ngrohur nga dielli dhe të mos prekim dot timonin sepse është shumë vapë. Imagjinoni se si kjo ndikon në organizëm”, thotë Nancy Selover, një klimatologe nga Universiteti i Arizonës.
Shenjat që tregojnë se fëmija është shumë i nxehtë
Me ardhjen e vapës së verës, veshjet e tepërta mund të shkaktojnë mbinxehje të trupit të fëmijës, gjë që përbën një kërcënim serioz për shëndetin.
Akademia Amerikane e Pediatrisë e ka lidhur mbinxehjen me një rrezik në rritje të sindromës së vdekjes së papritur të foshnjave.
Ka disa mënyra për të kontrolluar nëse fëmija juaj është shumë i ngrohtë:
1. Prekni kokën dhe qafën e fëmijës tuaj për të kontrolluar lagështinë. Është një shenjë se ai djersitet.
2. Vëzhgoni fytyrën e fëmijës. Nëse është më e kuqe se zakonisht ose nëse fillojnë të shfaqen njolla, ka mundësi që trupi i tij të jetë shumë i nxehtë.
3. Dëgjoni me kujdes frymëmarrjen e fëmijës suaj. Frymëmarrja e shpejtë është një simptomë e mbinxehjes. Prekni gishtat e këmbëve të fëmijës, nëse janë të ngrohtë, kjo është një nga shenjat se ai është shumë i nxehtë.
4. Nëse fëmija nuk fle dot dhe është i shqetësuar, mund të jetë shumë vapë. Por mund të jetë edhe shenjë e problemeve të tjera, si dhimbje barku apo pelenë e lagur.
Foshnjat nuk duhet të mbulohen nëse nuk është ftohtë.
Nëse flini me fëmijën tuaj, kini parasysh se ai do të ngrohet nga trupi juaj, ndaj nuk është e nevojshme ta mbuloni.