Qeveria anulon konceptin për klasat VII-IX, nxënësit do të mësojnë nga librat e vjetër

Me vendim të Qeverisë është anuluar për kohë të pacaktuar koncepti mësimor për klasat shtatë, tetë dhe nëntë, por pa prekur lëndët zgjedhore, të cilat sipas ministres së Arsimit, Vesna Janevska konsiderohen zgjidhje e mirë në procesin e ardhshëm të edukimit të të rinjve.

Janevska ka bërë të ditur se në vitin e ri shkollor nxënësit e klasës së shtatë do të mësojnë nga librat e vjetër me materiale shtesë që do të përgatiten nga Byroja për Zhvillimin e Arsimit. Sipas ministres së Arsimit anulimi i konceptit të ri mësimor për klasat shtatë, tetë dhe nëntë u bë për shkak se asnjë prej teksteve të klasës së shtatë nuk është dërguar për shtyp e për disa nuk është kryer as procedura e miratimit, që do të thotë se librat jo vetëm që nuk kanë kaluar fazën e recensionit por as nuk janë shkruar.