Avokati 61-vjeçar, politikani laburist, Keir Starmer, është shpallur kryeministri i ri i Britanisë së Madhe.
Bëhet e ditur se Partia Laburiste ka fituar zyrtarisht zgjedhjet e përgjithshme në Mbretërinë e Bashkuar, duke tejkaluar numrin e 326 vendeve nga 650 për të fituar shumicën.
Por kush është Keir Starmer, lideri laburist që do të zëvendësojë Rishi Sunak si kryeministër?
I Lindur në vitin 1962 në Londër, Starmer ishte një avokat i të drejtave të njeriut përpara se të bëhej Drejtor i Prokurorisë Publike nga viti 2008 deri në 2013.
Gjatë fushatës elektorale ai ka qenë i etur për të folur për sfondin e tij të klasës punëtore – duke përmendur vazhdimisht gjatë debateve televizive se babai i tij ishte një prodhues veglash, nëna e tij një infermiere.
Në të vërtetë, lidhja e tij me politikën e krahut të majtë është e gjatë – pasi ai ndan emrin e tij me Keir Hardie, i cili themeloi Partinë Laburiste në fund të shekullit të 19, shkruan euronews, përcjell Telegrafi.
Starmer u bë deputet në vitin 2015 për një zonë elektorale në Camden, në Londrën Veriore. Në vitin 2019 ai mori gati 65 për qind të votave, një rezultat i shëndetshëm për Laburistët.
Ai u bë lider i partisë në vitin 2020, kur Jeremy Corbyn i cili kishte pësuar humbje në zgjedhje, u largua nga partia.
Starmer fitoi mbi 56 për qind të votave kundër dy kandidatëve të tjerë.
Ai gjithashtu ka pasur një ndërveprim të gjatë me çështjet evropiane. Starmer e kishte mbështetur çështjen për të mbetur në BE dhe më pas e shtyu vazhdimisht qeverinë të dilte me një strategji më të zhvilluar, apo edhe të mbante një referendum për këtë çështje.
Siç raportohet, platforma e tanishme elektorale e Starmer nuk premton kthim në tregun e vetëm të BE-së apo bashkimin doganor, megjithëse ai ka thënë se do të dëshironte të përmirësonte marrëveshjen e “dështuar” të Brexit të Boris Johnson.
Ndryshe, lëvizja e fundit e kryeministrit të ri britanik përfshin 33 miliardë euro investime të gjelbra në vit.