Pavarësisht fushatës intensive, shkolla të caktuara profesionale mbetën me numër të ulët të nxënësve të pranuar për vitin e ri shkollor 2024/25. Ilire Misini, profesoreshë në shkollën “Dimitar Vllahov” tha se edhe në afatin e dytë të regjistrimit interesimi i nxënësve nuk përmbushi pritshmëritë e drejtuesve të shkollës. Ajo shtoi se interesim më i ulët është paraqitur në paralelet më mësim në gjuhën shqipe.
“Besoj që është ndikimi i shoqërisë pak a shumë po edhe një lloj mungese e vetëdijesimit për sa i përket shkollave profesionale, drejtimeve profesionale dhe rëndësisë që hasin drejtimet profesionale. Vende të lira kryesisht ka te teknik i ushqimit që ka konkretisht 22 vende të lira. Te Estetika po ashtu ka vende të lira dhe gjithashtu te teknik i kozmetikës dhe bukurisë vazhdon të ketë vende të lira ndërsa për parukieri vendet thuajse janë të plotësuar”, deklaroi Ilire Misini, profesoreshë SHMQSH “Dimitar Vllahov”.
Ndërkohë, disa nga nxënësit që tashmë kishin mbaruar arsimin e mesëm profesional thanë se përveç që kanë mësuar një zanat tashmë kanë siguruar edhe vendin e punës.
“Kam mësuar tre vjet për zanatin e parukierisë dhe jam shumë e kënaqur për atë që mësova dhe vërtet kisha shumë dëshirë për këtë zanat dhe shpresoj të punoj”, tha një nxënës.
“Shumë më lehtë do gjesh punë krahasuar me gjimnazet të cilat nuk të garantojnë punë pas katër viteve mësim. Këtu është shumë lehtë, prej vitit të parë shkon në praktikë, nëse ke dëshirë të punosh do të mësosh dhe do të bëhesh i pavarur”, u shpreh një tjetër nxënës.
“Fillimisht do të nis të punoj prej në shtëpi, nuk mund të arrish gjithçka përnjëherë por gradualisht, hap pas hapi mund të arrish në një vend. Ëndrra ime është të punoj në Turqi”, nënvizoi një nxënës.
Semimaturantët edhe këtë vit interesim më të lartë shprehën për gjimnazet, drejtimet e mjekësisë dhe ato të informatikës. Ndërkohë, në tregun e punës kërkesat e mëdha mbeten për drejtimet e makinerisë, elektroteknikës, ndërtimtarisë dhe të tjera./Alsat/