Turqia është skuadra e tetë dhe e fundit që merr një biletë për në fazën çerekfinale të Kampionatit Europian Gjermani 2024. Turqit e drejtuar nga Vincenzo Montella ia dolën të triumfojnë me rezultatin 2-1 ndaj Austrisë, në një sfidë ku hero ishte Merih Demiral.
Qendërmbrojtësi zhbllokoi sfidën që në minutën e parë, duke shënuar pas një rrëmuje në zonë saktësisht në sekondën e 57’, në atë që ishte edhe goli më i shpejtë i shënuar në një ndeshje të fazës me eliminim direkt të Europianit.
Në pjesën e dytë Demiral shënoi sërish pas një krosimi nga këndi, duke dyfishuar avantazhin e turqve, por vetëm për 6 minuta, pasi Gregoritsch rihapi sfidën sërish me kokë, pas zhvillimeve të një goditjeje nga këndi.
Pjesa e mbetur e ndeshjes ishte vërtetë e luftuar, e hapur dhe me shumë raste, teksa në sekondat e fundit u desh mrekullua e portierit turk Gunok, për të çuar skuadrën e tij në fazën çerekfinale, aty ku do të përballet me Holandën.
Kampionati Europian do të rikthehet të premten e 5 korrikut me dy sfidat e para çerekfinale, Gjermani-Spanjë dhe Francë-Portugali, ndërsa një ditë më vonë do të luhen përballjen Holandë-Turqi dhe Angli-Zvicër.