Ambasadorja amerikane, Angela Ageler thotë se nuk ka negociata të reja për agjendën e BE-së, për Marrëveshjen e Prespës e as për Bullgarinë, pasi që ato marrëveshje tashmë janë bërë dhe nuk ka rinegociim. Në intervistën për Radion Europa e Lirë, Ageler tha se qytetarët duhet të kërkojnë transparencë dhe përballje me korrupsionin nga qeveria e re, duke theksuar se gjithmonë ekziston rreziku i hyrjes së kapitalit gërryes dhe se qeveria duhet t’u përgjigjet të gjitha pyetjeve. Ambasadorja, për Marrëveshjen e Prespës thotë se ajo ishte historike për vendin, por njëkohësisht thekson se është marrëveshje që ka ndihmuar Maqedoninë e Veriut.
ANGELA AGELER, AMBASADORE AMERIKANE
“Ne ishim pjesë e atij procesi dhe e duartrokitëm. Është diçka që e ka ndihmuar Maqedoninë e Veriut, për të hyrë në NATO, dhe ka dhënë shumë mundësi për të avancuar në Bashkimin Evropian. Ne ishim shumë të kënaqur që kryeministri i ri dhe ministrat e tij thanë në betim duke përdorur prapashtesën ‘e Veriut’. Tani do të monitorojmë me shumë kujdes se si respektohet”.
Ndërkohë që qeveria e re ka konfirmuar mbështetjen e saj për Ukrainën, por në të njëjtën kohë, nga ana tjetër është zëvendëskryeministri Stoilkoviq i cili është shumë i afërt me Moskën, Ageler e pyetur se a ka ndonjë shqetësim për këtë. Ambasadorja ka thënë se nuk e njeh zëvendëskryeministrin e ri dhe se nuk e di se sa ndryshon pozicioni i tij në krahasim me paraardhësin e tij.
ANGELA AGELER, AMBASADORE AMERIKANE
“Por mund t’ju them se kam nisur takimet formale me qeverinë e re. Dje u takova me kryeministrin dhe ministrin e Mbrojtjes dhe pata biseda të shkëlqyera me të dy për Ukrainën. Dhe u ndjeva rehat me garancitë që të dy më dhanë për mbështetjen e vazhdueshme për Ukrainën përmes NATO-s. Tani, kam shumë besim se kur të vijnë në Uashington, javët e ardhshme, e di se ata do të përsërisin këtë përkushtim para udhëheqjes sonë”.
Ageler thotë se roli i Maqedonisë së Veriut respektohet në NATO dhe se mbështetja për Ukrainën është shumë e rëndësishme për ta. Ajo vlerësoi faktin se vendi ishte i katërti për frymë banori në listën e vendeve që dhanë donacione për Ukrainën. /SHENJA/