Europol njofton se janë arrestuar 219 persona për trafikim njerëzor, më shumë se 1300 viktima

Organizata Evropiane e Policisë (Europol) ka njoftuar se në një aksion masiv kundër trafikimit të qenieve njerëzore, të koduar si “Zinxhiri global”, janë arrestuar 219 persona dhe janë identifikuar të paktën 1374 viktima, mes tyre 153 fëmijë. Ky operacion u zhvillua nga data 3 deri më 9 qershor dhe përfshiu 39 vende nga e gjithë bota. Qëllimi i aksionit ishte thyerja e rrjeteve kriminale me rrezik të lartë, veçanërisht rastet e shfrytëzimit seksual, krimit të detyruar dhe lypjes së detyruar.

Në vitin aktual, një nga qëllimet ishte identifikimi dhe thyerja e rrjeteve kriminale më të rrezikshme aktive në Bashkimin Evropian, duke përfshirë organizatat mafioze, etnike dhe familjare, si dhe rrjete të tjera të strukturuara të përfshira në trafikimin e qenieve njerëzore. Agjencitë e zbatimit të ligjit janë përkushtuar për të luftuar rastet që përfshijnë fëmijë viktima.

Rezultatet e këtij aksioni tregojnë se lufta kundër kriminelëve të trafikimit të qenieve njerëzore është më efektive kur bëhet së bashku, dhe Europol falënderon vendet partnere për pjesëmarrjen në këto veprime për të eliminuar rrjetet kriminale të trafikimit të qenieve njerëzore në nivel global.