Së paku gjashtë persona u vranë si pasojë e sulmeve ruse me artileri dhe raketa në Ukrainë. Në Donjeck, pesë civilë u vranë dhe 11 të tjerë u plagosën nga granatimet ruse në zonat civile. Sulmet dëmtuan shtëpi banimi, ndërtesa të tjera dhe objekte të infrastrukturës. Në rajonin jugor Herson, një person u vra dhe një tjetër u plagos nga granatimet dhe bombardimet ruse që u kreu nga lumi Dnjepër.
Në përgjithësi, 15 vendbanime u sulmuan në këtë rajon, përfshirë kryeqytetin rajonal, Herson, ku një numër shtëpish banimi u shkatërruan nga sulmet me artileri. Në rajonin verilindor Harkiv, një person u plagos nga sulmet gjatë natës. Edhe rajonet Dnipropetrovsk, Zaporizhja dhe Sumi u sulmuan, sipas zyrtarëve lokalë.
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë njoftoi se kundërajrorët e saj rrëzuan 114 dronë ukrainas mbi Krimenë e okupuar dhe në rajonet ruse Krasnodar, Briansk dhe Volgogard. Një person u vra dhe katër të tjerë u plagosën në këto sulme. Rafineria e naftës në Seversk të Krasnodarit u godit nga copëzat e dronëve të rrëzuar, por zjarrfikësit e shuan zjarrin menjëherë.
Një person u vra edhe pranë një stacioni autobusësh në Krasnodar. Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës raportoi se forcat ukrainase “me sukses i kanë goditur” një numër objektivash në Rusi dhe në Krimenë e okupuar, duke përfshirë rafinerinë e naftës, stacionet radarësh dhe depo dronësh.