Shqipëria e nisi me humbje rrugëtimin e saj në Euro 2024, pasi u mposht me rezultatin 2-1 nga kampionia në fuqi e Europës, Italia, në një përballje të vendosur brenda 16 minutave të para në “Signal Iduna Park”.
Një stadium i ngjyrosur kuqezi, me tifozerinë shqiptare që kishte krijuar një atmosferë fantastike, ishte Nedim Bajrami ai që ngriti në peshë zemrat e gjithë shqiptarëve anembanë botës, duke shënuar gol pas vetëm 23 sekondash lojë dhe duke u bërë zyrtarisht lojtari që shënon golin më të shpejtë në një Europian.
Një gabim i italianëve në prapavijë u shfrytëzua mjaft mirë nga numri 10 i kuqezinjve, që lëshoi një goditje perfekte në shtyllën e parë dhe dërgoi topin në rrjetën e portës së Donnarummës.
Por pikërisht ky gol i shpejtë i Shqipërisë duket se zgjoi italianët, të cilët reaguan mirë, duke marrë kontrollin e lojës dhe gjetur golin e barazimit me Bastonin, i cili gjatë zhvillimeve të një këndoreje, u la i lirë në shtyllën e dytë dhe mposhti lehtësisht Strakoshën.
Përmbysja e italianëve u kompletua në minutën e 16’, kur Jasir Asani largoi keq një top nga zona, duke ia dhuruar Barellës në hyrje të zonës, aty ku mesfushori i Interit lëshoi një predhë të pakapshme për Strakoshën dhe çoi rezultatin në 2-1 për Italinë.
Kjo përmbysje e shpejtë ndikoi jo pak te kuqezinjtë e Sylvinhos, që deri në fund të pjesës së parë vuajtën jo pak dhe shtylla e Strakosha i shpëtuan nga goli i tretë. Në pjesën e dytë kuqezinjtë provuan të ngrenë nivelin dhe iu afruan disa herë zonës së rreptësisë, por pa rezultat, teksa rasti më i mirë ishte ai i Rey Manajt në minutat e fundit, por Donnarumma i mohoi kënaqësinë e golit.
Vërshëllima finale la në fuqi rezultatin 2-1 për Italinë, që nis kështu me një tre pikësh Euro 2024-ën, teksa Shqipëria e Sylvinhos do të duhet të hedhë shpejt pas krahëve këtë humbje dhe të mendojë për ndeshjen e radhës, vetëm katër ditë më vonë ndaj Kroacisë në Hamburg.