Në një ngjarje të mbushur me emocione dhe kujtime, në Strugë u promovua libri “Dëshmorët në rrënjët e kombit shqiptar”, një vepër që nderon të gjithë dëshmorët e kombit shqiptar nga epokat e ndryshme historike. Ky libër, i cili përfshin figura të shquara si Oso Kuka, Ymer Prizreni, dëshmorët e rilindjes kombëtare dhe pavarësisë, deri te kryedëshmori Adem Jashari dhe dëshmori nga Struga, Naser Hani, ka bashkuar dashamirës, familjarë dhe njohës të veprës së Naser Hanit.
Promovimi filloi me një fjalë përshëndetëse nga profesor Xheladin Muça, i cili rrëfeu për jetën dhe kontributet e Naser Hanit, një figurë e shquar në luftën për çlirim kombëtar. Muça theksoi rëndësinë e njohjes dhe vlerësimit të këtyre figurave historike nga brezat e rinj.
Në vijim, ish-deputeti nga Shqipëria Spartak Braho mbajti një fjalim të veçantë, ku nënvizoi se rinia duhet të jetë më e informuar për sakrificat dhe kontributet e dëshmorëve. Ai shtoi se kombi duhet t’i nderojë më shumë këto figura, duke potencuar që Naser Hanit t’i dedikohet një bust në Strugë ose një rrugë në Veleshtë të mbajë emrin e tij.
Mendi Qyra, një tjetër folës në këtë ngjarje, e portretizoi Naser Hanin si një figurë unike me kontribute të çmuara dhe ndikim pozitiv te krerët e luftës çlirimtare në Kosovë. Qyra e përshkroi atë si një mik të pazëvendësueshëm me një humor të hollë dhe një karakter frymëzues.
Poeti Vahit Nasufi evokoi kujtime për Naser Hanin, duke e përshkruar atë si një burim të pashtershëm frymëzimi, ndërsa Garip Kaba, kushëriri dhe krahu i djathtë i Naser Hanit në aktivitetet e tij ilegale dhe politike, e përshkroi vrasjen e tij si një goditje të madhe për të gjithë. Kaba theksoi se vrasja e Naser Hanit duhet të zbardhet plotësisht, duke akuzuar strukturat policore dhe të shërbimeve të asaj kohe për këtë akt.
Në fund, me emocion dhe mirënjohje, para të pranishmëve foli edhe Florentina Hani, bashkëshortja e Naser Hanit, së bashku me anëtarë të tjerë të familjes së tij, duke ndarë kujtime dhe momente të paharrueshme nga jeta e tij.
Kjo ngjarje në Strugë jo vetëm që nderoi kujtimin e dëshmorëve të kombit shqiptar, por gjithashtu shërbeu si një platformë për të rikujtuar rëndësinë e sakrificave të tyre dhe për të nxitur brezat e rinj të vlerësojnë dhe ruajnë trashëgiminë kombëtare.