Zhvillimet në rripin e Gazës/ Shpëtimi i pengjeve – Forcat izraelite vrasin mbi 200 persona

ZHVILLIMET NË RRIPIN E GAZËS

Shpëtimi i katër pengjeve pas një operacioni special ushtarak izraelit ka ngjallur shpresë edhe për shpëtimin e të tjerëve që ndodhen në Gaza. Por, ky operacion rezultoi shumë i përgjakshëm në enklavën e bombarduar ku një sulm ajror vrau mbi 200 palestinezë në kampin Nuseriat dhe plagosi mbi 400 të tjerë.

Pengjet izraelitë u fotografuan duke mbërritur në Ramat Gan në Izrael, pasi u shpëtuan nga Gaza qendrore si pjesë e një operacioni special ushtarak izraelit.

Mes tyre ishte edhe Noa Argamani, e cila mejëhërë pasi u shpëtua nga ushtria izraelite vizitoi nënën e saj të sëmurë e cila po trajtohet në Qendrën Mjekësore Tel Aviv Sourasky. “Jam shumë e emocionuar. Më mungon gjuha hebraike prej shumë kohësh” ishin këto fjalët e para të Noa pas një bisede telefonike me presidentin izraelit Iszag Herzog si dhe kryeministrin Benjmanin Netanyahu.

Në videon e postuar në faqen e rrjeteve sociale X, babai i Argamanit e puth atë në faqe tepër i shokuar dhe i lumtur që ajo është gjallë pas tetë muajsh kur ajo u rrëmbye nga militantët e Hamas.

Argamani, 26 vjeç, ishte një nga fytyrat më të njohura në mesin e pengjeve të rrëmbyer nga Hamasi më 7 tetor. Pamjet rrëqethëse të saj duke u marrë në Gaza në anën e pasme të një motoçiklete, duke u lutur për jetën e saj bëri xhiron e botës.

Mes pengjeve të liruar janë edhe Almog Meir Jan, 22 vjeç, Andrey Kozlov, 27 vjeç dhe Shlomi Ziv, 41 vjeç. Ata u dërguan në spital për kontrolle mjekësore dhe ishin në gjendje të mirë shëndetësore. Të tre u rrëmbyen në festivalin NOVA gjatë bastisjes vdekjeprurëse nga militantët palestinezë të udhëhequr nga Hamas në qytetet dhe fshatrat izraelite pranë Gazës. Të emocionuar janë edhe qytetarët izraelitë të cilët shprehen se lirimi i katër pengjeve jep shpresë për të tjerët.

Ndërkaq një pamje e përgjakshme u shpalos në Gaza, ku zyrtarët e ministrisë palestineze të shëndetësisë dhe mjekët lokalë thanë se një sulm ushtarak izraelit në Nuseirat vrau më shumë se 200 palestinezë dhe plagosi mbi 400 të tjerë.

Shumë prej dëshmitarëve okularë e cilësuan një masakër të vërtetë, ku dronët dhe avionët luftarakë izraelitë qëlluan në mënyrë të qëllimshme shtëpitë e njerëzve dhe mbi njerëzit që u përpoqën të largoheshin nga zona. Nga ana tjetër ushtria izraelite vijon operacionet e saj në lindje të Deir el-Balah dhe Bureij lindor pas operacionit në kampin e refugjatëve Nuseirat./tvklan.mk/