Ligji për Riorganizimin e Qeverisë/ Opozita maqedonase: 20 ministri për më pak se 2 milion banorë në Maqedoni!

LIGJI PËR RIORGANIZIMIN E QEVERISË

VMRO-DPMNE vazhdon të adresojë kritika për LSDM-në për shkak se nuk mbështetën Ligjin për Riorganizimin e Qeverisë.

Gishti drejtohet tek Venko Filipçe dhe Slavjanka Petrovska, të cilët, sipas VMRO-DPMNE-së, përmes prizmit të garës për lider të socialdemokratëve marrin vendime në Kuvend.

“LSDM-ja po bëhet parti e izoluar. Ata nuk mbështetën ligjin sistematik edhe pse shumica e madhe prej 2/3 në Kuvend votuan ligjin, me çka u dëshmua se VMRO-DPMNE, për çështje të rëndësishme, ka kapacitete për të udhëhequr procese politike dhe të sigurojë mbështetje. Nga ana tjetër LSDM-ja vetizolohet dhe tregoi se është kundër interesave shtetërore”, thanë nga VMRO – DPMNE

Por, reagime nuk kanë munguar edhe nga tabori socialdemokrat.

Duket se rrjetet sociale po shndërrohen në arenë të përplasjeve dhe akuzave e kundërakuzave midis rivalëve politik.

Deputetja e LSDM-së, Sanja Lukarevska, përmes Facebookut reagoi rreth mbështetjes së ndryshimeve ligjore që erdhi nga BDI-ja.

“Të premten, në natën e thellë, në emër të “koalicionit të ri” u ndanë keksat, gurabitë dhe qumështi. Shumë më pak se sa ishin premtimet. Krenarisë nuk i shihet fundi” – shkruan Lukarevska.

“E gabuar është dilema nëse janë të arsyeshme më shumë ose më pak ministri” – ka shkruar në Facebook, kandidati për Kryetar të LSDM-së, duke komentuar miratimin e Ligjit me të cilin rritet numri I Ministrive në Qeveri.

Sipas tij, cështja kyçe është nëse kjo hap dyert për punësime të reja në sektorin publik.

Kohëve të fundit, më aktiv me reagimet e tij nëpër rrjetet sociale, është lideri I “Levicës”, Dimitar Apasiev.

Përvec akuzave në adresë të VMRO-DPMNE-së se nuk e hoqën mbiemrin “E Veriut” nga Maqedonia, Apasievi, ka komentuar edhe rritjen e Ministrive, sic thotë, nga 16 bëhen 20 për më pak se 2 milion njerëz që kanë mbetur të jetojnë në Maqedoni.

“Katër nga këto ministri janë të tëpërta. Këtu vijmë tek megalomania vmroide. Hitosrikisht Qeveria më e madhe ishte e Lubço Georgievskit me 27 anëtarë, Gruevski kishte 26, Mickoski – do të shohim. Shpresoj të mos keni 30 që t`i tejkaloni mentorët tuaj. Sa për krahasim; Franca ka 15 ministri, Gjermania – 14, Sllovenia – 14, Italia – 13, Belgjika – 12…Unë ju them, numri optimal i Ministrive në Maqedoni është 14” tha Apasiev.

Në Ligjin për Riorganizimin e Qeverisë, që u miratua me shumicë prej 2/3 apo me 88 vota, u ndryshuan rreth 30 nene, që rezultuan që Qeveria e re të ketë 20 në vend të 16 ministrive të deritashme si dhe transfere të kompetencave nga njëra në ministrinë tjetër./ tvklan.mk/