Eshaloni i tretë/ VLEN do të ketë 400 poste udhëheqëse?!

ESHALONI I TRETË

Që ditën kur mori mandatin për Qeverinë e re, lideri I VMRO-DPMNE-së, duket se ka finalizuar negociatat me koalicionin VLEN.Burime nga koalicioni VLEN thonë se është arritur marrëveshja përfundimtare për ndarjen e ministrive dhe pozitave më të ulëta udhëheqëse.

Sipas burimeve jozyrtare, në eshalonin e tretë, koalicionit VLEN, do t`i takojnë 400 poste udhëheqëse, përfshirë edhe ato në nivel të njësive rajonale në mbarë vendin.

Sipas paralajmërimeve, koalicioni VLEN do të udhëheq me MEPSO-n, “Rrugët e Maqedonisë”, Drejtorinë për Kundërzbulim Financiar, Librat Amë, Rezervat Shtetërore, derisa zv/Drejtorë do të ketë në Dogana, Drejtorinë për të Ardhura Publike, ELEM, Sigurimin Pensionalo-Invalidor, Policinë Financiare, Fondin për Sigurim Shëndetësor.

Në listën e institucioneve që do të udhëhiqen nga VLEN janë edhe Filarmonia, Teatri Shqiptar Shkup, Inspektorati i Arsimit, Burgjet e Strugës dhe Tetovës, Agro – Bursa, Ndërmarrja Publike për ekonomizimin me kullotat, Agejncia për të dhëna personale, Agjencia për rrugë shtetërore, Zv/Guvernatori në Bankën Popullore, si dhe vende drejtorësh nëpër Klinika.

Në pritje të zyrtarizimit të Qeverisë Mickoski, sipas njoftimeve, në duart e koalicionit VLEN do të jenë Ministritë sikurse, Ekonomia, Eurointegrimet, Ekologjia, Politika sociale dhe Qeverisja e mirë.

Më 27 qershor, sipas afatit kushtetues, Mickoski duhet ta propozojë kabinetin e ri qeveritar, por ai paralajmëroi se kjo do të ndodh më herët.