Pa asnjë shenjë përparimi në përpjekjet e ndërmjetësve për të arritur një armëpushim në luftën e Gazës, forcat izraelite kanë goditur Rafahun nga ajri dhe toka, ndërsa tanket e tyre janë përpjekur të përparojnë edhe në perëndim.
Banorët thanë se tanket që kanë marrë kontrollin përgjatë vijës kufitare me Egjiptin janë nisur drejt perëndimit dhe qendrës së qytetit jugor, duke plagosur disa banorë të cilët ishin bllokuar brenda shtëpive të tyre.
“Unë mendoj se forcat pushtuese po përpiqen të arrijnë në zonën e plazhit të Rafahut, bastisjet dhe bombardimet gjatë natës ishin taktike”, tha një palestinez.
“Ishte një nga netët më të këqija, disa njerëz u plagosën brenda shtëpive të tyre, përpara se të evakuoheshin këtë mëngjes”, shtoi ai.
Forcat izraelite kanë operuar gjithashtu brenda kampit Al-Bureij në Rripin qendror të Gazës, shkruan Reuters.
Ndërkohë, ndërmjetësuesit e Katarit dhe Egjiptit, të mbështetur nga SHBA-ja, kanë shtuar përpjekjet për të arritur një marrëveshje armëpushimi, që do të ndalojë armiqësitë dhe do të dërgojë në lirimin e pengjeve.
Por, deri më tani të gjitha përpjekjet kanë dështuar, me Hamasin që këmbëngul në kërkesën e tij për një fund të përhershëm të konfliktit dhe Izraelin që thotë se është i përgatitur të diskutojë vetëm për pauza të përkohshme derisa grupi militant të mposhtet.
Ndryshe, konflikti izraelito-palestinez nisi tetorin e kaluar nga sulmi i 7 tetorit i Hamasit ku mbetën të vdekur 1,200 njerëz dhe u kapën më shumë se 250 pengje.