Rusia lëshoi një breshëri raketash dhe dronësh që dëmtuan objektet energjitike dhe infrastrukturën kritike në të gjithë Ukrainën, duke plagosur të paktën katër persona.
Sulmi i gjashtë i madh ajror rus në sektorin energjitik të Ukrainës që nga marsi dëmtoi objektet energjetike në lindje, qendër dhe perëndim. Forcat ajrore të Ukrainës thanë se rrëzuan 35 nga 53 raketa ruse dhe 46 nga 47 dronë sulmues të përdorur për sulmet. Alarmet ajrore zgjatën për më shumë se tre orë në të gjithë rajonet.
“Qëllimi kryesor i Rusisë është të përdorë mungesën e mbrojtjes ajrore dhe vendosmërinë e partnerëve të Ukrainës. Partnerët e dinë saktësisht se çfarë nevojitet si Patriotët dhe sisteme të tjera moderne të mbrojtjes ajrore për Ukrainën. Për të përshpejtuar dhe zgjeruar dërgesat e F-16 në Ukrainë. Për t’u siguruar ushtarëve tanë të gjitha aftësitë e nevojshme,” tha Zelenskiy në aplikacionin e mesazheve Telegram.
Sulmet e reja ruse u kryen dy ditë pasi presidenti amerikan, Joe Biden, i dha dritën jeshile Ukrainës t’i përdorë armët amerikane për të kryer sulme brenda Rusisë, por vetëm për qëllime të kufizuara për ta mbrojtur Harkivin.
Ndërkaq Presidenti ukrainas Volodomyr Zelenskiy ka mbërritur në Singapor për “Dialogun Shangri-La” ku do të diskutojë mbështetjen për vendin e tij në një fjalim para delegatëve.
Ai gjithashtu do të marrë pjesë në një sesion për paqen globale dhe stabilitetin rajonal ku pritet të kërkojë nga pjesëmarrësit të mbështesin një samit të paqes që do të mbahet këtë muaj në Zvicër.