U paralajmërua si “beteja” për legjitimitetin, por eksponentë të lartë të Frontit Evropian, nuk kanë bërë publike hapat që do të ndërmerren.
Por, gjatë një prononcimi për Klan Maqedoni, Ministri Kreshnik Bekteshi, bëri të ditur se BDI-ja nuk shqyrton opsione që nënkuptojnë sjellje destruktive, por kryesisht metoda demokratike të veprimit të menjëhershëm, në kuptimin se si do të veprojnë deputetët e Frontit në Kuvend, por edhe Kryetarët e Komunave, këshilltarët dhe funksionarët tjerë.
Sipas Bekteshit, hapi I parë nis të dielën në Tetovë.
“BDI, të dielën, ka paraparë një takim në Pallatin e Kulturës në Tetovë, së bashku me të gjitha partitë politike që përbëjnë Frontin Evropian, ku do të nënshkruhet një marrëveshje nga të gjithë anëtarët e Kryesive nga të gjithë Kuvendarët e partive politike, funksionarët e partive të nivelit lokal dhe qendror dhe hapi i parë do të jetë alarmimi dhe elaborimi i legjitimitetin i cili buron nga Marrëveshja Kornizë e Ohrit”, tha Kreshnik Bekteshi.
Sa I takon alarmimit, Fronti Evropian ka në plan të senzibilizojë edhe faktorin ndërkombëtar, sic thonë, për legjitimitetin e cënuar nga ana e partnerëve të ardhshëm të qeverisë.
Nuk përjashtohet mundësia që të përgatitet një Memorandum, që do të mbështetet nga funksionarët e Frontit por edhe intelektualët, ku do të njoftohet bashkësia ndërkombëtare se me hyrjen e koalicionit VLEN në Qeveri, cënohet legjitimiteti i Shqiptarëve dhe bashkësive më të vogla etnike.