Strugë, u bë hapja zyrtare e “Europe House”

Sot në Strugë në prezencën e ambasadorit të BE-së në Maqedoninë e Veriut, Dejvid Gir, u bë hapja zyrtare e “Europe House”. Ambasadori bëri hapjen zyrtare me një fjalim, e më pas vazhdoi me një debat dhe diskutim me nxënësit e shkollave të mesme. Ambasadori Gir tha se hapja e “Europe House” në Strugë është një mundësi e mirë ku të rinjtë mund të shfaqin idetë e tyre për një të ardhme më të mirë.

“Është një kënaqësi e madhe që sot kemi zyrtarisht hapjen zyrtare të “Europe House” këtu në Strugë. Ky është “Europe House” i 6-të në vend dhe po përhapemi dhe jemi shumë aktiv në promovimin e një hapësire të re për gjeneratën e re. “Europe House” është një investim tek të rinjtë e këtij vendi në inovacion, kreativitet dhe në të ardhmen evropiane për të gjithë të rinjtë këtu në Maqedoni. Mesazhi im për të rinjtë këtu në Strugë dhe rrethinë është që dyert janë të hapura, ejani dhe bëni këtë vend një vend për ju.”, – deklaroi ambasadori i BE-së në RMV, Dejvid Gir.

“Europe House” organizon punëtori të ndryshme ku sjell bashkë të rinjtë, që mund të shkëmbejnë idetë e tyre dhe të përmirësojnë aftësitë e tyre. Në Strugë këto tre muajt e fundit që nga hapja jo zyrtare e “Europe House” janë realizuar mbi 20 aktivitete kulturore, sociale me tematika të ndryshme, me pjesëmarrje të shumë të rinjve dhe jo vetëm. Qendra të “Europe House” në vendin tonë ka në Shkup, Kriva Palankë, Strumicë, Manastir, Strugë dhe Tetovë, ndërsa në të gjithë Maqedoninë janë organizuar më shumë se 900 aktivitete, ku janë përfshirë mbi 36 mijë persona.