Sllovenia njeh shtetin e Palestinës

Siç pritej, këtë të enjte qeveria e Sllovenisë ka njohur shtetin e Palestinës. Parlamenti i vendit anëtar të Bashkimit Evropian pritet të miratojë vendimin e qeverisë në ditët në vijim.

Në një konferencë për shtyp kryeministri Robert Golob bëri thirrje për ndërprerjen e menjëhershme të konfliktit midis Izraelit dhe Hamasit në Gaza dhe lirimin e të gjithë pengjeve.

Qeveria e Lubjanës ndjek në këtë mënyrë hapat e Spanjës, Irlandës dhe Norvegjisë të cilat e njohën më herët.

Vendimi është pjesë e një përpjekjeje më të gjerë të vendeve për të rritur presionin ndaj Izraelit për t’i dhënë fund konfliktit në Gaza. Edhe Malta pritet të njohë Palestinën së shpejti ndërsa Britania e Madhe dhe Australia po e shqyrtojnë si vendim.

Për Francën nuk është tani koha e përshtatshme për njohjen e shtetit palestinez.