Vazhdojnë negociatat për formimin e qeverisë se re. Palët tash më disa ditë po paralajmërojnë se janë afër arritjes së një marrëveshje përfundimtare, VMRO – DPMNE dhe VLEN-i ende nuk kanë prezantuar para opinioni marrëveshjen për koalicion qeveritar.
Pavarësisht faktit se palët tash më disa ditë po paralajmërojnë se janë afër arritjes së një marrëveshje përfundimtare, VMRO – DPMNE dhe VLEN-i ende nuk kanë prezantuar para opinioni marrëveshjen për koalicion qeveritar dhe as nuk kanë shpalosur detaje se çfarë do të përfshijë kjo marrëveshje.
Paralelisht, VMRO po zhvillon po ashtu negociata për koalicion edhe me Lëvizjen ZNAM të Maksim Dimitrievit. Nga informatat që qarkullojnë në media, Koalicionit do t’i takojë posti i kryetarit të Kuvendit dhe një zëvendëskryeministër. Sa i përket ministrive, VLEN do të marrë Ministrinë e Ekologjisë, Shëndetësisë, Punës dhe Politikës Sociale dhe të Ekonomisë.
Po ashtu do të ketë edhe disa zëvendësministra, në Ministrinë e Mbrojtjes, Bujqësisë, Arsimit, Sistemit Politik, Ministrisë së Punëve të Brendshme, Transportit dhe Lidhjeve si dhe atë të Kulturës. Po ashtu, VLEN-i do të ketë edhe sektorin e eurointegrimeve.
Ndërkaq, Lëvizja ZNAM pritet të marrë Ministrinë e Drejtësisë dhe të Administratës.
Sa i përket procesit eurointegrues të vendit, palët pretendojnë se do të vazhdojnë këtë rrugë. Madje, Blerim Sejdiu nga koalicioni VLEN, tha sot për TV 21 se, është i bindur se, qeveria e VMRO – DPMNE – VLEN do ti zbatojë ndryshimet kushtetuese.
Ai tha se, kjo do të ndodhë pas formimit të Qeverisë.
“Ndryshimet kushtetuese definitivisht do të ndodhin, ajo do të thotë se nuk ka gjasa të mos ndodhin. Ajo çështje është kryer dhe dakorduar, ka marrëveshje për këtë pjesë”, tha Sejdiu.
Në rast se arrihet marrëveshje, mes VMRO-DPMNE-së, VLEN-it dhe lëvizjes ZNAM, shumica parlamentare do të ketë 78 deputetë.