Një sërë ndryshimesh në fushën e arsimit janë paraparë të zbatohen nga Qeveria e re në katër vitet e ardhshme. VMRO-DPMNE madje ka parashikuar që nën ombrellën e Ministrisë së Arsimit të vendos edhe arsimin parashkollor që momentalisht i takon dikasterit të Punës dhe Politikës Sociale. Sipas VMRO-s, theks i veçantë do t’i vihet lëndëve me rëndësi kombëtare si gjuha maqedonase, historia, gjeorgrafia, muzika dhe artet e bukura të cilat, sipas VMRO-s, do të mbrohen ligjërisht ndërkohë që edhe do të vijon shqyrtimi i koncepti mësimor. Mes tjerash parashikohet edhe nënshkrimi i Marrëveshjes Kolektive për mësimdhënësit. Ndërsa për arsimin e lartë janë paraparë reforma. Qeveria në ardhje synon të pozicionoj në listën botërore të universiteteve më të mira një nga universitetet e Maqedonisë.
Ndërkohë, edhe koalicioni VLEN ka për synim ndryshime në arsimin e lartë me qëllim përmirësimin e cilësisë. Kohë më parë, kryetari i Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti ka theksuar se pavarësisht se kemi 3 universitetevnë gjuhën shqipe, 30-40% të maturantëve më të mirë shqiptarë shkojnë dhe studiojnë në universitetin Shën Qirili dhe Metodi, në gjuhën maqedone. Sipas Mexhitit, kjo është arsyeja që të bëhet një nismë për fuzionimin e tre universiteteve shqiptare të cilat, sipas Mexhitit, nuk kanë nevojë të mbyllen, mund të vazhdojnë të funksionojnë por me drejtime të ndryshme si për shembull njëri për shkencat teknike, njëri për shkencat natyrore e tjetri për shkencat shoqërore. Mexhiti kishte deklaruar se me fuzionimin e tyre do të rritet vlera e atij universiteti i cili do të përparojë në listën e Shangait dhe studentëve do ju ofrohet një diplomë shumë më e vlefshme. Edhe nga Forumi për ndryshime në arsim vlerësojnë se shkrirja në një universitet të vetëm është e domosdoshme.
“Është e pakuptimtë që gjashtë universitete publike dhe sa të tjera janë private ti ofrojnë të njëjtat programe studimore pa mos e siguruar cilësinë se si duhet të jetë. Edhe pse të gjitha universitetet shtetërore dhe private janë në një grup rektorët që bisedojnë për reforma arsimore nuk është biseduar aty asnjëherë për sa i përket fuzimit të disa programeve studimore me qëllim që të rritet cilësia në arsim. Sepse, më e rëndësishme është kualiteti se sa kuantiteti. Nuk është e rëndësishme që gjashtë universitete publike të kenë të njëjtat programe studimore por është shumë e rëndësishme që të paktën nga këto gjashtë universitete të krijohet një farë lloj kombinimi i programeve studimore që do të tregojnë një cilësi më të lartë në arsim se sa ajo që kemi deri tash”, tha Blendi Hodai, Forume për ndryshime për arsim.
Për momentin, tre universitetet në gjuhën shqipe në vend kanë thuajse drejtime dhe programe studimore shumë të ngjashme./Alsat.mk